Çfarë thotë Matiq për marrëdhëniet Beograd – Tiranë dhe për Edi Ramën

8 Dhjetor 2016 - 20:36      

Përmirësimi i marrëdhënieve Tiranë e Beograd rrjedhimisht ndikon në përmirësimin e raporteve të Kosovës e Serbisë.

Kështu u shpreh gazetari serb e kryeredaktori i B92, Veran Matiq në një intervistë për Rubikon të KTV-së.

Ai theksoi se nuk e kupton pse takimi i fundit i kryeministrit Rama ka ngjallur pakënaqësi te kosovarët kur sipas tij do të duhej të ndodhte e kundërta.

Matiq përmendi edhe promovimin e librit “Kurban” të Ramës.

Kjo ngjarje ishte momenti kur beogradasit ndryshuan perceptimin për kryeministrin shqiptar, i cili më herët ishte veçse një ‘rebel’ që kishte probleme edhe me vetë shqiptarët, thotë Matiq.

“Raporti i përmirësuar ndërmjet Beogradit e Tiranës, ndikon direkt edhe në përmirësimin e raporteve mes Serbisë e Kosovës ose krijohen kushtet të thuhet mirë, nëse mundemi kështu me Shqipërinë, përse të mos mundemi edhe me Kosovën?! Unë isha kur e publikuam librin “Kurban” të Edi Ramës në serbisht. Fillimisht, më pyetën shqiptarët në Shqipëri se çfarë të duhet ky libër, kujt i intereson në serbi libri i Edi Ramës? Në fakt, pikërisht pse serbët s’e njohin Shqipërinë në nivel elementar, është kushti i parë, dhe e dyta, sepse është libër shumë i mirë. I shkruar mirë, libër i mirë politik dhe vërtet ekziston arsyeja përse e publikuam… Gjatë promovimit, shumë paragjykime për Ramën kanë rënë poshtë. Harrohej se kishim perceptim shumë ndryshe për Ramën. Ai shihej si ‘rebeli’ që ka telashe me vetë shqiptarët, kështu që atë natë në promovim, ishte atmosferë tjetër”, ka thënë Matic.

Matiq theksoi se ishte vetë figura e Ramës që ndikoi në ndryshimin e këtyre perceptimeve.

“Edhe gazetarët nga Kosova atë natë kanë parë një Ramë tjetër dhe si duket, kurrë askush nuk e kishte pyetur shumë gjëra që unë e pyeta, e as gazetarë nga Shqipëria nuk dinin shumë gjëra që ai i fliste aty nga tragjedia e tij personale familjare, deri tek argëtimi në pallatin ‘Elysee’ për ditëlindjen e tij, kur ai para të gjithë liderëve perëndimorë kërkoi nga Daçiq që t’i këndonte një këngë, e ai vetëm e pyeti se cilën! Ishte situatë krejtësisht tronditëse në të cilën u gjetën Hollande, Merkel e të tjerët dhe natyrisht kënga u këndua. Mendoj se disa përparime janë shumë të rëndësishme në të gjitha nivelet e mundshme, sepse ne kemi jetuar si bota paralele, mendoj në Serbinë e Shqipërinë”, përfundoi Matiq.

Matiq përmendi organizimin e një ekspozite të madhe e cila sipas tij do të duhej të ishte e nivelit evropian me artistë shqiptarë e serb.

Për të Matiq tha se do të mbahet në Beograd e në Tiranë.

“Do të quhet Tirana-Beogradi pas heshtjes. Ky është titulli dhe kjo ishte ide e Ramës dhe jo për qëllime propagandistike, por art relevant dhe artistë relevantë, të cilët do të jenë bashkë në një vend dhe të cilët do të komunikojnë në këtë temë, pas heshtjes dhe temat me të cilat merren dhe natyrisht me qëllim që kjo të jetë në Paris apo Berlin, ndonjë qendër botërore ku do të tregohet sa relevante është. Këto janë disa gjëra shumë të rëndësishme dhe mendoj se po të kishte më shumë gjëra të këtilla, atëherë politikanët më lehtë do t’i sillnin vendimet. Tani, raportet mes kryeministrit Rama dhe Vuçiqit janë të mira, por tani s’duhet të mbetet me kaq, duhet të plotësohen me vendosjen e komunikimit institucional”, përfundoi Matiq.

Mes popullit mbetën paragjykimet e njëjta, rregullat e njëjta, thotë Veran Matiq.

comments powered by Disqus

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...