Lunacek fton Kuvendin dhe Qeverinë të jenë më të përgjegjshëm ndaj qytetarëve

8 Dhjetor 2016 - 18:43      

Zëvendëspresidentja e Parlamentit Evropian dhe njëkohësisht raportuesja për Kosovën, Ulrike Lunacek, i ka bërë thirrje Kuvendit të Kosovës dhe Qeverisë që, siç tha, të sillen “në mënyrë të përgjegjshme ndaj qytetarëve të Kosovës”.

Në një përgjigje me shkrim për Radion Evropa e Lirë, Lunacek tha se “institucionet e Kosovës duhet urgjentisht të përmbushin dy kriteret e mbetura për liberalizim të vizave”.

Deklarata e Lunacekut erdhi në ditën kur përfaqësuesit e Komisionit Evropian, Parlamentit dhe Këshillit të BE-së, arritën pajtim rreth mekanizmave për pezullimin e liberalizimit të vizave, për shtetet të cilat gëzojnë këtë mundësi, në raste të keqpërdorimeve apo rrezikut nga migrimi masiv.

“Vendimi për pezullim nënkupton se Ukraina dhe Gjeorgjia po ecin përpara dhe se Kosova duhet ta shfrytëzojë këtë moment! Është një mundësi e madhe dhe i bëj thirrje Kuvendit të Kosovës dhe Qeverisë që të veprojnë në mënyrë të përgjegjshme ndaj qytetarëve të Kosovës të cilët e meritojnë udhëtimin e lirë pa viza, dhe të përmbushin urgjentisht dy kriteret e mbetura me qëllim që ta shtyjmë përpara në nivelet e BE-së” i tha Radios Evropa e Lirë, Ulrike Lunacek.

Miratimi në Kuvend i marrëveshjes për përkufizimin e vijës kufitare me Malin e Zi ka nxitur një valë reagimesh të opozitës që e ka kundërshtuar marrëveshjen përmes përdorimit të gazit lotsjellës dhe protestave në rrugë.

Marrëveshja u tërhoq nga Kuvendi me vendim të qeverisë së Kosovës me paralajmërimin se do ta rikthejë “kur të arrihet një pajtueshmëri”.

Kushti i dytë është forcimi i luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar./REL

 

comments powered by Disqus

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...