Komisioni për Mbikëqyrje të Financave Publike i kërkon Hoxhajt kujdes për rekomandimet e Auditorit

8 Dhjetor 2016 - 14:27      

Në mbledhjen e Komisionit për Mbikëqyrje të Financave Publike, të kryesuar nga Faton Topalli, kryetar, u shqyrtua raporti i Auditimit të Pasqyrave Vjetore Financiare të Ministrisë së Punëve të Jashtme, për vitin e përfunduar më 31 dhjetor 2015.

I pranishëm në këtë takim, për të dhënë sqarimet e nevojshme në çështjet që u ngritën nga Komisioni, ishte edhe ministri i MPJ-së, Enver Hoxhaj.

Raporti i kësaj ministrie është i pamodifikuar, me theksim të çështjes.

Përkitazi me këtë çështje anëtarët e Komisioni paraqitën disa shqetësime për të gjeturat nga auditori në MPJ dhe numëruan një varg mangësish të paraqitura në raport. Mes tjerash përmendën edhe mos mbylljen e shpenzimeve në mallra dhe shërbime.

Komisioni kërkoi edhe sqarime tjera të shumta nga ministri Hoxhaj për mos adresim të problemeve në MPJ për të gjeturat e Auditorit, duke kërkuar me këtë rast që t’i kushtojë një kujdes të veçantë implementimit të rekomandimeve të auditorit, me të cilat kërkesa u pajtua edhe ministri Hoxhaj.

Ministri Hoxhaj, sipas komunikatës së Kuvendit të Kosovës, me këtë rast u zotua se do të jetë i fokusuar në implementimin e rekomandimeve të dhëna nga Zyra e Auditorit të Përgjithshëm, duke sqaruar faktin se MPJ ka përgatitur edhe Planin e Veprimit për të trajtuar dhe adresuar rekomandimet dhe janë duke ndërmarrë masa për implementimin e të gjeturave.
“Jam në dijeni për të gjeturat e auditorit dhe në gjashtë muajt e fundit që nga emërimi im në këtë ministri kam përcjellë në baza ditore adresimin e të gjitha çështjeve dhe rekomandimeve. Kemi një plan veprimi konkret dhe besoj se në vitin e ardhshëm në raportin e ri do të vëreni progresin që është bërë gjatë këtyre muajve të fundit”, tha Hoxhaj.

Krejtësisht në fund, anëtarët e Komisionit rekomanduan që të implementohen këto rekomandime të ZAP-i, si dhe kërkuan që brenda tre muajve të informohet Komisioni për adresimin e rekomandimeve.

Pas një diskutimi të anëtarëve të Komisionit, ata u dakorduan që Komisioni të mbajë një punëtori lidhur me Projektligjin për Kontrollin e Brendshëm të Financave Publike.

comments powered by Disqus

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...