Hoxhaj: Kosova nga sot në një marrëdhënie të re me NATO-n

8 Dhjetor 2016 - 11:45      

Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, ka përshëndetur letrën që ka pranuar sot Qeveria e Kosovës nga Sekretari i NATO-së duke e cilësuar një etapë të re për integrimin Euro Atlantik të vendit.

Ministri Hoxhaj gjatë një konference të përbashkët me Kryeministrin Isa Mustafa, tha se është shumë inkurajuese për Kosovës që ta fuqizojë ndërveprimin me NATO-në, sepse, sipas tij, kjo do të kontribuojë në sigurinë dhe stabilitetin në Kosovë. Ai shtoi se ky bashkëpunim është dëshmi që Kosova dhe NATO duan ta mbajnë Ballkanin Perëndimor zonë Euroatlantike.

“Në gjendjen aktuale me krizat në rajon dhe përtej, është shumë inkurajuese për Kosovën që ta fuqizojë ndërveprimin me NATO sepse kjo do t’i kontribuojë sigurisë dhe stabilitetit të vendit. Ky përafrim mes Kosovës dhe NATO-së, është dëshmia më e mirë që Kosova por edhe NATO janë shumë të interesuara ta mbajnë Ballkanin Perëndimor zonë euroatlantike me perspektivë të qartë për anëtarësim në të ardhmen”, deklaroi Hoxhaj.

Hoxhaj tha se ky përafrim i Kosovës me NATO do ta përgatisë vendin tonë t’i përmbushë parakushtet për anëtarësimin në NATO. Ministri Hoxhaj shtoi se kjo është edhe një mundësi për të rritur bashkëpunimin me NATO-në në fushën e diplomacisë publike, që do të ndikonte në përmirësimin e imazhit të Kosovës në botë dhe tejkalimin e propagandës kundër Kosovës.

Ky është fjalimi i plotë:

Kryeministër urime juve dhe qytetarëve të Kosovës për këtë ditë të veçantë për Republikën tonë.

Republika e Kosovës ka hyrë sot në një fazë të re të marrëdhënieve me NATO-n. Letra e nënshkruar nga sekretari i përgjithshëm drejtuar kryeministrit të Republikës së Kosovës, z. Isa Mustafa e shpreh në fakt vullnetin e 28 shteteve anëtare të NATO-s për një etapë të re të integrimit euroatlantik të Kosovës.

Prej sot kemi shpejtësi tjetër. Prej sot fillojmë të lëvizim në mënyrë konkrete drejt integrimit të Kosovës në NATO. Siç e përmendi kryeministri letra ofron një raport të mirëfilltë mes NATO-s dhe Kosovës dhe një substancë të plotë të bashkëpunimit në mes të Kosovës dhe NATO-s.

Ju mund të pyesni pse ministri i Jashtëm flet për një temë të tillë.

Ju e dini që mbrojtja është pjesë e politikës së jashtme konceptualisht dhe kështu është e definuar edhe me Kushtetutë të Republikës së Kosovës. Në një gjendje aktuale të krizave në Evropë dhe në rajon, padyshim se është dëshmia më e mirë që Kosova ka mbështetje dhe mbrojtje të Aleancës më të fuqishme perëndimore dhe globale.

Nga dita e sotme Kosova shndërrohet nga një konsumues i sigurisë, pasi kemi qenë konsumues i sigurisë për një kohë të gjatë, për shkak të pranisë së madhe të trupave të KFOR-it, në një prodhues dhe eksportues të sigurisë rajonale dhe ndërkombëtare.

Përmes kësaj letre dhe përmes fazës së në të cilën kemi hyrë, do të bëjmë përpjekje maksimale që t’i përmbushim të gjitha kriteret, të gjitha kushtet, me qëllim që në një të ardhme të afërt t’i bashkohemi edhe Programit të Partneritetit për Paqe, si parakusht për anëtarësim drejt NATO-s.
Kjo marrëdhënie është si rezultat i punës së madhe të Qeverisë së Kosovës, Ministrisë së Forcës së Sigurisë dhe politikës së saj të jashtme, por mbi të gjitha është rezultat edhe i konkluzioneve të Samitit të Varshavës në verën e këtij viti, ku u mirëprit në këtë Samit dhe u nënvizua perspektiva atlantike e Kosovës.

Sa i takon takimit që kryeministri Mustafa ka pasur me zonjën Mogherini dhe me z.Hahn para dy javësh, takimin e Këshillit të Stabilizim Asociimit, mendoj që është prej viteve më të rëndësishme sa i takon të ardhmes tonë euroatlantike.

Ndërsa, ne kemi bërë përpjekje maksimale që ta rrisim dhe zgjerojmë sovranitetin e Kosovës përmes rritjes së numrit të njohjeve, që gjeografia e njohjeve të jetë globale.

Keni parë, që ka ardhur njohja nga Singapori dhe jemi në kontakt edhe me disa vende të tjera, por nuk është detyrë e Qeverisë tonë të bëjë shpallje për shtetet e tjera, por në ato momente kur merren vendime, ne do t’i bëjmë publike vendimet në koordinim me shtetet të cilat mund ta njohin Kosovën.

Qëllimi jonë është që jo vetëm ta rrisim gjeografinë e njohjeve, ta zgjerojmë sovranitetin, por edhe ta ushtrojmë sovranitetin dhe ushtrimi i sovranitetin ndodhë përmes anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare, gjë që do ta kem objektiv gjatë vitit të ardhshëm.

comments powered by Disqus

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...