Hapi i radhës për Specialen është përzgjedhja e gjyqtarëve [video]

5 Dhjetor 2016 - 19:17      

Procedurat gjyqësore në Hagë në Gjykatën Speciale për Kosovën mund të nisin së shpejti.

Kjo sepse një nga hapat vendimtarë, ratifikimi i marrëveshjes për selinë e Gjykatës, tashmë ka përfunduar në Parlamentin Holandez, raporton KTV.

Këtë e ka konfirmuar zëdhënësja e Gjykatës Speciale, e cila ka sqaruar se së shpejti do të vazhdohet edhe me hapa tjerë, siç është përzgjedhja e gjyqtarëve.

“Ratifikimi i Marrëveshjes për shtetin nikoqir është bërë dhe kjo mundëson bazën ligjore që Gjykata Speciale për Kosovën të funksionojë në Holandë. Marrëveshja do të hyjë në fuqi më 1 janar 2017. Është e paraparë që emërimi i gjykatësve është hapi tjetër në këtë proces dhe këto emërime do të bëhen publike sapo të ndodhin. Duke pasur parasysh këto hapa, është e vështirë të spekulohet se kur do të nisin procedimet gjyqësore, por sa i përket Gjykatës Speciale gjithçka është duke shkuar sipas planit”, ka thënë Avis Benes, shefe e Zyrës për Media të Gjykatës Speciale.

Për kohën e dërgimit të aktakuzave në Gjykatë, Prokuroria Speciale nuk ka dashur të flasë me arsyetimin se nuk mund të spekulojë për kohën.

“Prokurori Special, siç e ka përmendur në shumë raste, nuk diskuton se çka, kur dhe kush përfshihet në punën e Zyrës së Prokurorit Special. Është e pakuptimtë të spekulohet. Është e rëndësishme se është bërë progres i vërtetë për të kompletuar Gjykatën, por hapa tjerë vendimtarë ende duhet të merren. Në këtë kohë, komentet për akuzat janë të nxituara”.

Paraardhësi i David Schwendiman, kur kishte përfunduar hetimet e tij para 2 vjetëve, pati thënë se ka gjetur fakte për disa aktakuza, ku do të përfshihen disa nga ish-udhëheqësit më të lartë të UÇK-së.

Megjithatë, Clint Williamson ka thënë se nuk ka fakte për të ngritur aktakuzë për trafikim organesh, por ka dëshmi bindëse për krime të tjera.


Hapi i radhës për Specialen është përzgjedhja e... by kohanet
comments powered by Disqus

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...