Quinti thërret për rezultate konkrete në luftën kundër korrupsionit [Raport i KTV-së]

5 Dhjetor 2016 - 19:10      

Vetëm perceptim e quajnë nivelin e korrupsionit në Kosovë zyrtarët e lartë institucionalë, por për faktorin ndërkombëtar, ky vazhdon të jetë një realitet që po e dëmton të ardhmen e vendit.

Në javën kundër korrupsionit, ambasadorët e shteteve të QUINT-it, bashkë me organizata joqeveritare vendore, kanë bërë thirrje për luftë të pakompromis ndaj korrupsionit dhe transparencë të institucioneve, raporton KTV.

Ambasadori amerikan, Greg Delawie, tha se duhet të ngritët llogaridhënia brenda sistemit gjyqësor dhe prokurorët të jenë më të përgjegjshëm, por sipas tij, korrupsionin më së shumti e luftojnë qytetarët.

“Prezenca e të gjitha organizatave e shteteve të Quintit tregon rëndësinë se sa është e rëndësishme të luftohet korrupsioni. Këtë javë, për herë të parë, mburrem me mobilizimin e OJQ-ve në luftën kundër korrupsionit. Ne këtu jemi për të ndihmuar si shtete të Quintit, por rëndësia e luftimit të korrupsionit mbetet te qytetarët e Kosovës. Ambasada jonë po bashkëpunon me Ministrinë e Drejtësisë për të ngritur llogaridhënien brenda sistemit, në mënyrë që gjyqtarët dhe prokurorët të jenë më përgjegjës në luftën kundër korrupsionit”, ka thënë Greg Delawie, ambasador i Amerikës në Kosovë.

Ndërsa ambasadorja e Gjermanisë, Angelika Viets, tha se prokurimi publik ofron mundësi që të ketë keqpërdorime nga zyrtarët publikë.

“Pra prokurimi publik konsiderohet si një fushë shumë e ndjeshme ndaj korrupsionit. Për atë arsye, është me rendësi të adresohet si problem, derisa edhe keqpërdorimi i fuqisë për t’u korruptuar paraqet një rrezik dhe kjo dëmton drejtpërdrejt shërbimet zyrtare te qytetarët dhe dëmton paranë publike në përgjithësi. Prokurimi publik duhet të konsiderohet me prioritet”, ka thënë Angelika Viets, ambasadore e Gjermanisë në Kosovë.

Ambasadori britanik në Kosovë, Ruari O’Connell, tha se korrupsioni e dëmton shtetin dhe shoqërinë.

“Korrupsioni në shtet dhe shoqëri, kjo është e qartë një gjë që e dëmton të ardhmen e Kosovës dhe jam thellësisht i bindur që me votat dhe zërat e qytetarëve mund të luftohet. Mos e pranoni, kurrë në çfarëdo niveli sepse do të ju minojë të gjithë shtetin. Profesionalizëm është çka shoqëria kërkon, njerëz të mirë të cilët ofrojnë shërbime për gjithë qytetarët dhe kjo kërkon vullnet politik” , ka thënë O’Connell.

Përfaqësuesja e BE-së në Kosovë ka kërkuar transparencë të institucioneve për një sistem demokratik.

Ndërsa ambasadorët e Italisë e Francës thanë se nuk ka kohë për të humbur në luftimin e kësaj dukurie. Që të ketë zhvillim ekonomik, duhet luftë kundër korrupsionit.

Konferenca e Ambasadorëve është mbajtur në kuadër të ‘Javës kundër korrupsionit’, e cila është hapur në Kosovë dhe do të zgjasë pesë ditë.


Quinti thërret për rezultate konkrete në luftën... by kohanet
comments powered by Disqus

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...