Veseli thotë se e ka kuptuar drejt mesazhin e qytetarëve te Drenasit

5 Dhjetor 2016 - 16:29      

Kreu i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ka thënë se ka kuptuar drejt mesazhin e qytetarëve të Drenasit. Sipas tij, rezultatin duhet ta respektojnë edhe oponentët politikë, edhe kur s’u pëlqen ai.

“Dje, Partia Demokratike e Kosovës dhe kandidati ynë z. Ramiz Lladrovci, shënuan fitore në zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar të Komunës së Drenasit. I falënderoj dhe i uroj të gjithë votuesit e z. Lladrovci, të cilët rikonfirmuan sërish mbështetjen e fuqishme për vizionin dhe platformën tonë për Drenasin, në funksion të arritjes së synimeve të përbashkëta”, ka shkruar Veseli.

Veseli ka thënë se i përgëzon të gjithë qytetarët e Komunës së Drenasit për mbarëvajtjen shembullore të procesit zgjedhor, përmes të cilit, sipas tij, dëshmuan edhe një herë kulturën e lartë demokratike të kësaj zone.

“Kjo kulturë dhe ky nivel i lartë i përgjegjësisë qytetare e përcolli edhe gjithë periudhën e fushatës zgjedhore, andaj me të drejtë mund të thuhet se fituesi më i madh i zgjedhjeve të djeshme në Drenas, ishte vetë qytetari i kësaj komune. Këtë duhet ta respektojnë oponentët tanë politikë, edhe kur nuk u pëlqen rezultati”, ka thënë Veseli.

“Unë e kam kuptuar drejt mesazhin e qytetarëve te Drenasit. Ky mesazh kërkon reflektimin tim të qartë dhe në pajtim me këtë, unë dhe PDK-ja do të angazhohemi bashkërisht, ashtu që fitorja e Partisë Demokratike të Kosovës dhe e z. Lladrovci të jetë fitore e vizionit të përbashkët me qytetarët e Drenasit. Verdikti i tyre do të jetë baza mbi të cilën do të ndërtohet edhe platforma qeverisëse e z. Lladrovci. Dhe jo vetëm në Drenas, por anekënd Republikës së Kosovës, vizioni i Partisë Demokratike të Kosovës do të ndërtohet bashkërisht me qytetarët dhe me votuesit tanë, duke i pasur në themelet e programit nevojat, kërkesat dhe aspiratat e tyre.
Për Partinë Demokratike të Kosovës nuk ka asgjë më të rëndësishme sesa lidhja e pashkëputshme mes qytetarëve tanë dhe lidershipit partiak, andaj në ditët në vijim do të komunikojmë në mënyrë dinamike me qytetarët e Drenasit, për të fuqizuar edhe më shumë fitoren e ardhshme të z. Lladrovci dhe të Partisë Demokratike të Kosovës në raundin e dytë zgjedhor”, ka shtuar ai.

comments powered by Disqus

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...