Thaçi kërkon thellimin e bashkëpunimit Kosovë-Maltë

5 Dhjetor 2016 - 14:05      

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, është pritur sot nga presidentja e Maltës, Marie Louise Coleiro Preca, në Pallatin Presidencial në Valeta, kryeqytetin e Maltës, në fillim të vizitës së tij presidenciale në këtë shtet, njofton kumtesa presidenciale, transmeton Koha.net.

Presidentja Coleiro Preca i ka dëshiruar mirëseardhje presidentit Thaçi dhe u shpreh e lumtur që Malta është ndër shtetet e para që ka njohur pavarësinë e Kosovës dhe se që nga atëherë është konsoliduar si shtet.

Thaçi është shprehur i kënaqur që po qëndron për vizitë në vendin mik, Maltë, dhe se po kërkohet thellimi i bashkëpunimit në mes dy vendeve.

Presidentja Preca kërkoi që marrëdhëniet ndërmjet dy shteteve të shtrihen veçanërisht në fushën e ekonomisë, ndërsa presidenti Thaçi rekomandoi që të shikohet mundësia e një takimi në mes të dy odave ekonomike të dy vendeve, që t’i hapet rrugë takimit të bizneseve të dy vendeve.

Thaçi falënderoi presidenten Preca për përkrahjen e vazhdueshme të Maltës për Kosovën.

Pasi Malta do të jetë kryesuese e radhës e presidencës së BE-së nga 1 janari 2017, presidenti Thaçi kërkoi nga Malta që Brukseli të mbajë vëmendjen në Ballkanin Perëndimor.

“Aspirata e vendeve të Ballkanit Perëndimor për t’u bërë pjesë e BE-së nuk guxon të pësojë. Vonesa e BE-së për të afruar rajonin e Ballkanit Perëndimor, veçanërisht Kosovën, është kërcënim për sigurinë pasi i hap rrugë ideologjive nacionaliste dhe radikale e fundamentaliste”, tha Thaçi.

Presidentja Preca u shpreh se Malta do të kërkojë edhe nga vendet e tjera të BE-së që të mbajnë në vëmendje Ballkanin Perëndimor.

Ministri i Punëve të Jashtme i Maltës, George Wella, i cili ishte anëtar i delegacionit maltez në takim, u shpreh se “BE-ja duhet të konfirmojë në mënyrë konkrete përkrahjen për shtetet e Ballkanit Perëndimor”.

Në këtë vizitë, Thaçi është pritur me nderimet më të larta shtetërore. Para takimit, presidenti Thaçi dhe presidentja Preca kanë parakaluar para Gardës së Nderit të Maltës në sheshin kryesor të kryeqytetit Valeta.

Presidenti Thaci, po ashtu ka vënë kurora lule në memorialin e dëshmorëve në kryeqytetin maltez.

comments powered by Disqus

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...