Foto: Koha

GAP: Korrupsioni, në shumë forma, në Kosovë

5 Dhjetor 2016 - 13:48      

Në kuadër të “Java kundër korrupsionit” #bashkeendreqim, Instituti GAP organizoi tryezën me temën “Luftimi i korrupsionit përmes transparencës buxhetore dhe rishikimit të raporteve të auditorit të përgjithshëm”, njofton kumtesa zyrtare, transmeton Koha.net.

“Java kundër korrupsionit” është aktivitet i përbashkët nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), Çohu, Demokraci Plus (D+), Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS), Instituti GAP dhe Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), në mbështetje të Ambasadës Amerikane në Kosovë.

Nora Latifi Jashari, Drejtoreshë Ekzekutive e Institutit GAP tha se korrupsioni merr forma të ndryshme në Kosovë dhe njëra ndër to është edhe korrupsioni në të hyrat dhe shpenzimet buxhetore. Për më shumë, ajo foli për platformën buxhetore që Instituti GAP e ka ndërtuar që nga viti 2013, “Si i shpenzon shteti paret tona?”, dhe theksoi rëndësinë e publikimit më në detaje të shpenzimeve buxhetore nga institucionet publike se sa ato që shpenzohen në raportet e rregullta të organizatave buxhetore.

Mike De La Rosa, ushtrues detyre i drejtorit të USAID-it në Kosovë, tha se korrupsioni në Kosovë pengon investimet e huaja dhe mundësinë e Kosovës për të arritur potencialin e saj për zhvillim ekonomik, meqenëse siç e citoi Biden ai është kancer për çdo shoqëri. Z. De la Rosa shtoi se të gjithë taksapaguesit kanë të drejtë të dinë se ku dhe si shpenzohen paratë e tyre. Vetë fakti që organizohen tryeza diskutimi për këto çështje është hap i drejtë në arritjen e luftimit të korrupsionit.

Agim Krasniqi, zëvendës ministër i financave theksoi se qeveria, përkatësisht ministria e financave i ka vënë synim vetes të rrisë transparencën në raportet e dala nga ky institucion duke bërë ndryshimin e përshkrimit të të dhënave në mënyrë që leximi i tyre të jetë më i lehtë, duke marrë vendimin për implementimin e e-prokurimit i cili që nga janari 2017 do të jetë i obligueshëm për të gjitha organizatat buxhetore në nivelin lokal dhe qendror si dhe ndryshimin e sistemit kontabël nga sistemi kesh në atë aktual.

Besnik Osmani, auditor i përgjithshëm në Zyrën Kombëtare të Auditimit (ZKA) theksoi se edhe pse raportet e ZKA-së janë plotësisht publike dhe transparente duhet të bëhet koordinim më i mirë i diskutimit të raporteve me të gjeturat me rrezik të madh meqenëse shpeshherë disa raporte me më pak të gjetura bëhen më aktuale. Vetëm gjatë vitit të kaluar, ZKA ka dhënë mbi 1300 rekomandime, nga të cilat 830 ishin me rrezik të madh pavarësisht partisë politike e cila është bartëse e cilit do institucion si në nivelin qendror ashtu edhe në atë lokal. 

comments powered by Disqus

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...