Ngrihet flamuri grek në Kalanë e Himarës, Dule akuzon Ramën

3 Dhjetor 2016 - 16:26      

Një ditë pasi ministri grek i Mbrojtjes, Panos Kammenos, paralajmëroi zyrtarisht Shqipërinë “të mos guxojë të sfidojë Greqinë” një reaksion zinxhir ka ndodhur në qarqet ekstremiste greke, që të inkurajuara nga gjuha e ashpër janë hedhur në veprim.

“BalkanWeb” ka botuar një foto ku dallohet qartësisht flamuri grek i ngritur mbi kalanë e Himarës. Flamuri është ngritur mëngjesin e sotëm në hyrje të kalasë, pikërisht në pjesën më të dukshme të saj për vizitorët e turistët, shkruan mapo.al.

Ndërkohë në aksin rrugor kombëtar Tepelenë-Gjirokastër po mëngjesin e sotëm, sipas një fotoje rezulton të jenë shkruar me sprej parulla për “Vorio-Epirin”.

E përditshmja “Stohos” është hapur me një kryeartikull ku i bën thirrje autoriteteve greke të dëbojnë të gjithë emigrantët shqiptarët, që sipas shkrimit janë “kolona e pestë e Turqisë në Greqi”. Me anë të një fotomontazhi provokues, “Stohos” e ka përafruar flamurin tonë kombëtar me atë të Turqisë duke vendosur përballë një ushtar grek të acaruar që i gjuan me plumba.

Të gjitha këto reagime kanë nisur pa u mbushur as 24 orë nga deklaratat provokuese të ministrit grek të Mbrojtjes, Panos Kammenos.

I pranishëm në garnizonin ushtarak kufitar në Molivdoskepasti, në kufi me Shqipërinë, i veshur me kamuflazh dhe në praninë e gjeneralëve më të lartë të ushtrisë greke, Kammenos ka folur prerë duke paralajmëruar Tiranën se “Greqia nuk mund të pranojë sfida dhe referenca që ndikojnë në historinë dhe të drejtën ndërkombëtare”.

Kurse kreu i PBDNJ-së, Vangjel Duke, ka reaguar ditën e sotme në lidhje me disa deklarata të bëra nga ministri grek i Mbrojtjes, Panos Kammenos.

Dule është shprehur se këto deklarata duhet të shihen si politike, duke siguruar se ato nuk mund të prishin miqësinë që ekziston mes popujve.

“Më shumë se kurrë, kur ka deklarata që mund të kalohen vijat tradicionale, dëshmohet se miqësia mes dy popujve është e pandikuar nga politikanët. Nuk ka popuj si ne, me fije kaq të shumta miqësie. Ky është angazhimi im dhe i PBDNJ-së për forcim marrëdhëniesh”, tha Dule.

Nga ana tjetër, ai ka akuzuar kryeministrin Edi Rama se po tenton që të zbeh rolin e Greqisë, duke shtuar se ajo është avokate e Shqipërisë për në NATO dhe BE.

comments powered by Disqus

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...