UP s‘lejon studentët të kryejnë dy fakultet në të njëjtën kohë

3 Dhjetor 2016 - 12:40      

Studentët që kanë qenë të regjistruar në dy fakultete, përpara vendimit të marrë nga Senati përmes sistemit elektronik, nuk po u lejohet të përfundojnë studimet në dy programet në të njëjtën kohë.

Sistemi Elektronik i Menaxhimit të Studentëve (SEMS), i cili u ndryshua në bazë të vendimit të marrë nga Senati, ua pamundëson që një studentë të jetë i regjistruar në dy fakultete në kuadër të Universitetit të Prishtinës. Megjithatë, ky sistem i përditësuar po del të jetë problematik për studentët të cilët para marrjes së këtij vendimi kanë qenë duke studiuar në dy fakultete.

Naser Sahiti, prorektor i Universitetit të Prishtinës, “Hasan Prishtina”, në lidhje me problemin e çregjistrimit të obligueshëm të studentëve të cilët kanë qenë të regjistruar në dy fakultete, e sqaron me arsyetimin se ky është një vendim i Senatit i marrë gjatë kohës sa ai nuk ka qenë në këtë pozitë.

Ai tregon që SEMS e ka të pamundur t’ua mundësojë studentëve të mëparshëm që të vazhdojnë të paraqesin provime, apo të kryejnë të tjera shërbime, në të njëjtën kohë në dy fakultete.

“Është nxjerrë një vendim i senatit para tre vitesh, nuk e di saktësisht datën, në të cilën kërkohet që një student të ketë mundësi që t’i vazhdojë studimet në një program të caktuar dhe pas përfundimit të atij programi duhet eventualisht nëse ka dëshirë me vazhdu me një program tjetër, ky vendim pastaj është implementuar edhe përmes SEMS-it, edhe në atë kontest SEMS-i nuk lejon automatikisht që studenti dy herë të ketë mundësi të regjistrohet në programe të ndryshme” , tha Sahiti.

Prorektori Sahiti thotë që nuk mund të ofrojë një zgjidhje për këtë kategori të studentëve, ngase SEMS-i rregullon çdo gjë dhe se nuk është e arsyeshme përjashtimi i kësaj kategorie të studentëve pavarësisht që numri i tyre me këtë lloj problemi është i vogël. Ai thotë se zgjidhja e vetme është çregjistrimi i studimeve nga njëri program dhe vetëm pas përfundimit të njërit program të mund të vazhdojnë në tjetrin.

Ndërsa, Besart Kolgeci, anëtar i Komisionit për studime në UP, tha për KosovaPress se deri tash nuk kanë marrë ndonjëherë ankesë për këtë çështje, por prapëseprapë kjo është e padrejtë thotë ai. Kolgeci thotë se kërkesat që shtrohen nga Parlamenti Studentor drejt Rektoratit po merren parasysh, ngase edhe vetë qëllimi i tyre është që të punohet në zhvillimin dhe përmirësimin e kushteve në UP.

Për këtë vendim të marrë nga Senati, me të cilin u ndalohet studentëve që të jenë në dy programe studimorë në të njëjtën kohë, nuk ka dokument të shkruar. Për momentin, i gjithë procesi i regjistrimeve të provimeve, paraqitjes dhe të tjerave procedurave, rregullohet vetëm sipas Sistemit Elektronik të Menaxhimit të Studentëve (SEMS).

comments powered by Disqus

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...