Mustafa komenton sërish punën e mediave, insiston se ishte me kohë në përurimin e urës

2 Dhjetor 2016 - 21:12      

Kreut kosovar të ekzekutivit nuk po i pëlqen t’i përmendet fakti se për të shkuar në përurimin e urës që lidh qytetet në veri të Kosovës, Leposaviqin me Zveçanin, i është dashur të bishtnojë rrugë, meqë rreth 100 serbë që nuk e donin atë të kalonte andej e kishin bllokuar rrugën.

Agjencia e Lajmeve “Kosovapress”, që thotë se ka qenë atje në kohën e përurimit ka raportuar se Mustafa është vonuar 1 orë e 40 minuta. Por Mustafa thotë se ka shkuar me kohë. Kryeministri madje nuk ka hezituar t’i cilësoj mediat vendore si pjesë e krahut të qarqeve serbe që, sipas tij, po tentojnë të mbajnë peng këtë pjesë të Kosovës. Kjo për faktin se i është dhënë hapësirë deklaratës së Marko Gjuriqit, që tha se “NATO e kontrabandoi Mustafën në veri nëpër rrugë malore emigrantësh”.

“Sot mora pjesë në inaugurimin e një ure, investim prej 400 mijë eurove nga NATO, në Kosovë. Fjala është për urën që lidh Zveçanin dhe Leposaviqin. Ishte një manifestim i organizuar nga KFOR-i. Një infrastrukturë shumë e rëndësishme komunikimi ndërmjet banorëve të asaj pjese të Kosovës, por edhe një simbolikë e veçantë. Ura është komunikim, është lidhje, është hapje. U ndjeva mirë që isha atje. Është një investim në shtetin tim”, ka shkruar Mustafa. “Kjo është esenca e ngjarjes”, sipas tij.

Më parë, ai tha se nuk e ka penguar askush rrugëtimin e tij. Por në statusin e tij në Facebook flet indirekt edhe për minatorët serbë që ia zunë rrugën.

“Nëse dikush ka tentuar ta pengojë këtë inaugurim, atëherë ata që kanë tentuar do të kenë mbetur mjedis rruge, kurse unë si Kryeministër isha në kohën e duhur në inaugurimin e urës”, ka thënë Mustafa, teksa ka vazhduar me komentim të punës së medieve, siç ka bërë edhe në të kaluarën.

“Është e mundur, por edhe e çuditshme, që disa mediumeve tona u pëlqen më shumë një deklaratë fëmijaqe e një politikani serb dhe ajo për ta është më e rëndësishme sesa prezenca jonë në ngjarje të tilla. Por, kjo nuk është e gjitha. E vërteta flet se qarqe të caktuara serbe po tentojnë ta mbajnë peng këtë pjesë të Kosovës. Prandaj nuk kanë nevojë që të kenë në krah edhe ndonjë medium të Kosovës”, ka thënë Mustafa.

Në fund Mustafa ka thënë se “çdo rrugë në Kosovë është e jona, e me rëndësi është të arrijmë atje ku synojmë”.

comments powered by Disqus

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...