Qeveria konfirmon se kodin telefonik +383 Kosova e merr më 15 dhjetor 2016

2 Dhjetor 2016 - 19:29      

Sipas Qeverisë së Kosovës, në bisedimet që zgjaten tre ditë në Bruksel e që përfunduan sonte, u konfirmuan obligimet finale zbatuese për çështjen e kodit shtetëror telefonik për Kosovën.

“Ky proces u përmbyll me sukses me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, me të cilin u konfirmua se në bazë të Marrëveshjes për Telekomin ashtu siç është paraparë me planin për zbatim për telekomin, ITU do t’ ia ndaj Kosovës kodin telefonik 383 me datë 15 dhjetor 2016”, thuhet në njoftimin e Qeverisë së Kosovës, transmeton Koha.net.

Ministrja Edita Tahiri me këtë rast deklaroi se bisedimet e këtyre tre ditëve u përmbyllen me sukses, tashmë çdo gjë është e saktësuar se Kosova bëhet me kodin e saj telefonik shtetëror 383 të cilën ITU do t’ia alokojë këtë kod telefonik drejtpërdrejt Kosovës me datën 15 dhjetor 2016. Ajo tha se për herë të parë në histori Kosova do ta ketë kodi telefonik shtetëror.
Gjatë ditëve të para pas Marrëveshjes për Telekomin, kjo marrëveshje u kritikua nga ekspertë duke akuzuar se Qeveria ka bërë lëshime kur ka lejuar që kompania serbe mobile do të futet në Kosovë,e gjithashtu edhe për bartjen e infrastrukturës që ndodhet në Veri.

Më tej, sipas po të njëjtës komunikatë, ministrja Tahiri theksoi se Organizata Ndërkombëtare për Telekomunikacion e OKB-së (ITU) me datë 15 dhjetor 2016 do t’ia ndajë Republikës së Kosovës kodin e saj telefonik shtetëror që do të jetë +383.

“Me marrjen e kodit të vet telefonik shtetëror, Republika e Kosovës e fiton sovranitetin shtetëror në fushën e telekomunikacionit dhe subjektiviteti i saj si shtet në fushën e telekomunikacionit do të njihet nga bashkësia ndërkombëtare përmes kodit të saj telefonik”, thuhet më tej nga Qeveria e Kosovës.

Ministrja Tahiri potencoi se do të shuhen të gjithë operatorët ilegal të telefonisë mobile dhe fikse të Serbisë në Kosovë, për herë të parë pas përfundimit të luftës në Kosovë më 1999. Ajo po ashtu edhe njëherë e rikonfirmoi se të gjitha thirrjet nga Kosova në Serbi dhe anasjelltas do të jenë thirrje ndërkombëtare.

Ajo tha marrëveshja për kodin telefonik do të ketë efekte pozitive të shumëfishta, si në planin shtetëror, të sovranitetit, ekonomik dhe telekomunikues.

Tahiri theksoi se gjatë këtyre bisedimeve nga pala e Kosovës u konfirmua se autorizimi i përkohshëm dhe i kufizuar në telefoni mobile do të realizohet sipas planit në ditën që Kosova e merr kodin e vet telefonik nga ITU, pala serbe konfirmoi se letra që Serbia do të ia dërgoj ITU-së ku shpreh pajtimin për kodin telefonik për Kosovën do të realizohet në afatin e paraparë. Delegacionet e dyja shteteve konfirmuan para BE-së se këto dokumente janë në pajtim të plotë me Marrëveshjen e Brukselit për telekomin dhe planin aksional.

Ministrja Tahiri tha se e falënderojmë Bashkimin Evropian për ndërmjetësimin efektiv të kësaj Marrëveshje për telekomin dhe se ky proces po rezulton me sukses duke dëshmuar suksesin e radhës së Dialogut të Brukselit.

Ministrja Tahiri me ketë rast shprehu mirënjohje për gjithë delegacionin shtetëror të Kosovës për punën e madhe dhe të përkushtuar për gjithë këto vite për arritjen e këtij suksesi për Kosovën. Ajo në mënyrë të veçantë vlerësoi lart edhe angazhimin e kryetarit të bordit të ARKEP-it njëherit koordinator profesional i grupit shtetëror për telekomin i cili dëshmoi përkushtim shtetëror dhe profesional për këtë proces.

comments powered by Disqus

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...