Përmbledhje e KTV-së për mbylljen e fushatës për Drenasin [video]

2 Dhjetor 2016 - 19:16      

Partitë politike në Drenas, kanë vazhduar me premtime edhe në përmbylljen e fushatës.

Mbështetje kandidatit të partisë së tij i ka dhënë edhe kryeministri Isa Mustafa, që sipas tij, Drenasi do t’i kthehet LDK-së. Kurse kandidati i LDK-së për të parin e Drenasit, Bedri Nika, ka thënë se me ardhjen e tij në pushtet, Drenasit do t’i kthehet dinjiteti.

Në natën përmbyllëse të fushatës elektorale të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), deputetja, Sala Berisha tha se PDK i ka dhënë rol të madh grave në Kosove dhe sipas saj ata që dojnë ta sfidojnë PDK-në e kanë gabim “sepse ne jemi më të fuqishëm se kurrë”, tha ajo dhe u shpreh e bindur në fitoren e kanididatit Lladrovci. Në manifestim, u lexua edhe një telegram urimi nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama për Lladrovcin, i cili ka shërbyer si ambasador i Kosovës në Tiranë. Kandidati i PDK-së për kryetar të Drenasit, Ramiz Lladorvci tha se nuk lejojnë të diskutohet fitorja e PDK-së, as në Drenas, as në Drenicë, as në Kosovë.

Ndërkaq, tubimi i Nismës për Kosovën ka filluar me shumë peripeci, pasi që iu desh të presin rrymën e cila u ndërpre ende pa filluar tubimi. Zyrtarë të kësaj partie thanë se kjo u bë qëllimshëm, por kjo nuk i pengoi të rinjtë e Drenasit që të vallëzojnë në sallë. Kandidatit të Nismës, Isa Xhemajlaj, i erdhën në mbështetjet krerët më të lartë të partisë dhe zyrtarë të AAK-së. Vetë Isa Xhemajlaj, u shpreh i bindur se pas të dielës, statusi i tij do të ndërrojë.

Bashkë me disa nga zyrtarët e partisë së tij, kandidati i partisë “Fjala” Vehbi Berisha, ka vizituar lagjen Drenasi i Ri.

Arsimi, shëndetësia, urbanizmi dhe prona, janë fushat që sipas kandidatit të pavarur, Xhevat Drenorit, do ia kthejnë imazhin e munguar Drenasit.

Edhe Aleanca Kosova e Re (AKR) sonte ka përmbyllur fushatën elektorale për kryetar të Drenasit, duke u premtuar qytetarëve hapje të fabrikave dhe vende të reja pune.

Kandidati i Aleancës Kosova e Re për kryetar të Drenasit, Elmi Thaçi u bëri thirrje qytetarëve që ta përkrahin AKR-në dhe vizionin e saj për zhvillim, dhe shtoi se programi konkret i AKR-së për Drenasin, është një shpresë e re, e cila i është paraqitur qytetarëve të këtij rajoni. Ai u premtoi se do të jetë gjithmonë në krye të detyrës, duke i zbatuar të gjitha planet dhe projektet e Aleancës Kosova e Re për zhvillim të Drenasit. Presidenti i Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli tha se Elmiu nuk do të përfitojë nga qytetari i tij dhe se ai do të jetë aty ku qytetari ka nevojë.

Qytetarët e Drenasit, do të zgjedhin kryeartin e tyre këtë të diel.

Nga ana tjetër, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, Prokuroria e Shtetit dhe Policia e Kosovës, në një konferencë për medie kanë bërë të dituar se kanë bërë të gjitha përgatitjet dhe kanë marrë të gjitha masat e nevojshme për mbarëvajtjen e zgjedhjeve e jashtëzakonshme për kryetar të komunës së Drenasit.

Kryeshefi Ekzekutiv i Sekretariatit KQZ-së, Enis Halimi, ka thënë se përgatitjet si dhe implementimi i procesit zgjedhor në Drenas po shkon sipas planit. Ai ka theksuar se i kanë të gjitha materialet në depot e tyre dhe se kanë përfunduar trajnimin e komisionarëve.

Halimi ka thënë se në Komunën e Drenasit janë 52 mijë e 569 votues. Prokurorja Laura Pula, ka thënë se kanë angazhuar prokurorë kujdestar si në Prishtinë ashtu edhe në Drenas. Gjithashtu ka thënë se kanë angazhuar edhe staf mbështetës për të siguruar efikasitet në mbrojtje të votës. Zgjedhjet në Drenas do të mbahen të dielën më 4 dhjetor

 


Përmbledhje e KTV-së për mbylljen e fushatës... by kohanet

comments powered by Disqus

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...