2 Dhjetor 2016 - 14:43
Institucionet e Kosovës duhet të zbatojnë Strategjinë Nacionale për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara, ligjet, t’i njohin dhe t’i respektojnë të drejtat, të krijojnë qasje dhe të ofrojnë shërbime shëndetësore dhe rehabilituese, si dhe përfshirje në arsim dhe krijim të kushteve të përgjithshme për pjesëmarrje të barabartë në shoqëri të personave me aftësi të kufizuara.
Kështu u tha në konferencën “Qasja dhe fuqizimi për personat me aftësi të kufizuara”, të organizuar nga Handikos, në të cilën u diskutua për të drejtat e personave me aftësi të kufizuara në Kosovë, pozitën në shoqëri, politikat dhe legjislacionin për këtë grup të shoqërisë.
Në konferencë merrnin pjesë përfaqësues të organizatave të personave me aftësi të kufizuara, nga Zyra e BE-së në Kosovë, Ambasada e SHBA-ve, Zyra për qeverisje të mirë të kryeministrit. Përmes një komunikate bëhet e ditur se HANDIKOS publikoi përmbledhjen e legjislacionit mbi të drejtat e personave me aftësi të kufizuara, e para e këtij lloji në Kosovë, dhe një raport nga hulumtimi i punësimit dhe të kushteve të punës të personave me aftësi të kufizuara.
Në fund u ekspozuan piktura dhe punime të tjera të punuara nga personat me aftësi të kufizuar, të mbështetur nga KUSA.
Asambleja e Kombeve të Bashkuara, në vitin 1992, shpalli 3 Dhjetorin Ditë Ndërkombëtare të Personave me Aftësi të Kufizuar, me qëllim të promovimit të të kuptuarit të çështjeve mbi aftësinë e kufizuar dhe të mobilizimit në përkrahjen për dinjitet, të drejta dhe mirëqenie të personave me aftësi të kufizuar.
Konventa e Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara parasheh se për t’u mundësuar personave me aftësi të kufizuara që të jetojnë në mënyrë të pavarur dhe që të marrin pjesë plotësisht në të gjitha aspektet e jetës, shtetet marrin masa të duhura për t’u siguruar personave me aftësi të kufizuar, në mënyrë të barabartë me të tjerët, qasje në mjediset fizike, në transport, në informacione dhe komunikime, duke i përfshirë teknologjitë dhe sistemet e informacioneve dhe të komunikimeve, dhe në objekte dhe shërbime të tjera që janë të hapura ose që i ofrohen publikut.
17 Shkurt 2017 - 00:15
16 Shkurt 2017 - 23:49
16 Shkurt 2017 - 23:41
16 Shkurt 2017 - 23:18
16 Shkurt 2017 - 23:17
Ec me kohën...