BBC: Shqipëria, kryeqendra evropiane e kanabisit në natyrë [foto]

2 Dhjetor 2016 - 10:41      

Shqipëria është bërë prodhuesi më i madh i kanabisit në natyrë në Evropë. Plantacionet e mëdha janë cilësuar si “ari i gjelbër” për fermerët e angazhuar.

Në një vend të varfër kjo është një industri miliarda eurosh, thuhet në një shkrim të BBC-së, që e transmeton sot Shekulli. Përgjatë një rruge të baltosur, në një fshat të vogël në veri të Tiranës, ndodhet një shtëpi gjysmake, gati e rrënuar. Ajo qëndron e vetmuar dhe duket krejt e braktisur. Por në fakt nuk është e tillë. Aroma marramendëse që vjen nga një prej dhomave zbulon funksionin e saj aktual: prodhimin e kanabisit. Brenda, më shumë se gjysma e dyshemesë është e mbuluar me gonxhet e thata të drogës.

“Këtu ka rreth 20 kg”, thotë një person që është pronari i lëndës narkotike. Ai është i ri, ndoshta rreth të 20-tave, i veshur me xhinse, një kanotiere të ngushtë dhe atlete. Është një nga mijëra personat që bëjnë para nga bumi i kanabisit. Në Shqipëri, një kilogram i kësaj droge ilegale shitet nga 100 deri në 200 euro. Në Itali ajo do të kapë shifrën 1.500 euro. Pjesa dërmuese e kanabisit trafikohet jashtë, në Veri përmes Malit të Zi, në Jug përmes Greqisë, dhe në Perëndim përmes Adriatikut në Itali. Në vend nuk ka një treg të rëndësishëm. Një burim vlerëson se industria e paligjshme mund të kap vlerën 5 miliardë euro, afro gjysma e GDP-së së Shqipërisë.

20 kilogramët e bimës së gjelbër që po thahet ngadalë nën rrezet e diellit që depërtojnë përmes një dritareje të hapur, por nuk përfaqësojnë të gjithë prodhimin e këtij personi. “Kam prodhuar 350 kg”, thotë ai. “Këtë vit, thuajse çdo familje në fshat ka kultivuar kanabis, tonelata dhe tonelata janë prodhuar vetëm në komunitetin tonë”. Ky burrë ka punësuar 15 vetë për procesin e korrjes dhe përpunimin, si dhe roje të armatosur për të mbrojtur prodhimin e tij. Ai thotë se është i ngarkuar në këtë zonë dhe me gjasë i përket një rrjeti më të gjerë. “Pra nëse çdokush po kultivon, diçka që e dinë të gjithë, përse nuk ka pasur bastisje nga ana e policisë?”, pyet gazetarja.

“I paguaj 20 për qind policisë. Të gjithë i paguajmë. Nëse nuk paguan, ata të marrin në burg”, thotë ai. Më pas vihet në mbrojtje duke thënë: “Ky është mallkimi ynë, këtu nuk ka punë. Nuk nxjerrim para me asgjë tjetër që mund të mbillet. E di që nuk është gjë e mirë kjo që po bëj, por s’kam rrugë tjetër”. Për dekada shqiptarët jetuan nën një regjim ndëshkues dhe të mbyllur. Pas rënies së komunizmit, erdhi një kohë trazirash civile ku u shënua një rritje e shpejtë e krimit të organizuar. 25 vjet më vonë, papunësia është ende e lartë dhe korrupsioni i përhapur, kushte që përgatisin një terren ku kanabisi mund të lulëzojë. Qeveria ka shënuar disa suksese në luftën kundër industrisë së paligjshme. Ajo thotë se më shumë se 2 milionë bimë janë shkatërruar gjatë këtij viti dhe tani që sezoni i kultivimit ka përfunduar, policia është e përqendruar në konfiskimin e drogës që përgatitet për t’u trafikuar jashtë Shqipërisë.

Janë kapur disa ngarkesa të mëdha Në një depo të madhe në Rrëshen, zonë e gjendur në ultësirën e maleve në veri të Tiranës, qëndron në rafte kanabisi i hedhur shtresë-shtresë. Në dyshemenë prej betoni ka një tjetër sasi të dendur drogë. Disa thasë janë vendosur në derën e pasme të një furgoni transporti të mbushur plot. Në mesin e këtij deti me drogë, qëndron oficeri i policisë në detyrë, Agron Cullhaj, i cili e përshkruan këtë si sasinë më të madhe të drogës të gjetur ndonjëherë në këtë zonë. Vetëm në këtë magazinë janë më shumë se 4 tonë kanabis me një vlerë tregu prej 6 milionë eurosh. “Kur mora detyrën në vitin 2013, nisa një plan të gjerë aksioni kundër kultivimit ilegal të kanabisit”, thotë Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri.

Në misionin e saj për të çliruar Shqipërinë nga pushteti i kanabisit, qeveria ka marrë mbështetjen e italianëve. Guardia di Finanza paguan për mbikëqyrje ajrore me qëllim identifikimin e plantacioneve dhe politikanët shqiptare u referohen statistikave të tyre në deklarata. “Nga 2013 në 2016, të dhënat tregojnë një ulje me 30 % të sipërfaqeve të kultivuara me kanabis. Kjo do të thotë se jemi në drejtimin e duhur”, thotë Tahiri. Ulja me 30 % ka ardhur pas operacioneve policore të vitit 2014 që shkatërruan industrisë e mirëndërtuar të kanabisit në Lazarat, një fshat famëkeq në jug që dikur cilësohej si “kryeqyteti drogës në Europë”. Në operacionin që u angazhuan forca speciale dhe mjetë të blinduara u kapën mijëra tonë kanabis dhe u shkatërruan mijëra plantacione. Nëse krahasoni shifrat për vitet 2015 dhe 2016, ato tregojnë një rritje me 5 herë të zonave të kultivuara me kanabis.

Burime në Shqipëri sugjerojnë se shumë komunitete kanë nisur të merren me prodhimin e drogës për herë të parë këtë vit. Korrupsioni luan një rol vendimtar në suksesin e këtij biznesi të paligjshëm, çka e pranon edhe vetë ministri i Brendshëm. “Sigurisht që policët janë korruptuar”, thotë ai. “Që prej ditës sime të parë në detyrë, më shumë se 3 000 policë janë nën hetim penal apo disiplinor. Kjo është thuajse 20 % e të gjithë trupës”. Por asnjë nga këta policë nuk është nën hetim për kanabis. Korrupsioni në Shqipëri është plaga e shumicës së problemeve të përditshme. Një arsye tjetër përse trafiku i kanabisit është i vështirë për t’u zmbrapsur është pagesa e mirë, që në disa vende shkon rreth 20 euro në ditë për punëtorë. Si kamarier paguhesha vetëm sa një e treta e asaj që fitoja nga kanabisi, thotë një 20-vjeçar, prindërit e të cilit e ndaluan të punonte kur kuptuan se me çfarë po merrej. Ai jeton në periferi të Tiranës, në një familje rurale të migruar pas rrëzimit të sistemit komunist në fillim të viteve ‘90. Ata erdhën për të kërkuar punë, por më shumë se dy dekada më vonë është ende e vështirë për të gjetur punë të rregullt e të ligjshme. Ky hendek tashmë është mbyllur nga kanabisi.

“Në orën 4:00 të mëngjesit mund të shihni turma njerëzish që shkojnë në punë”, thotë i riu. “Rrugët janë plot me gra, burra e të rinj, madje edhe fëmijë…” Disa furgonë i transportojnë punëtorët jashtë në fshat. Në sezonin e kultivimit ata punojnë në plantacione. Pas të korrave, ata përgatiten për të bërë paketimin për ta nxjerrë më pas drogën për eksport. Kritikët thonë se këta punëtorë të përditshëm janë më të parapëlqyer për t’u kapur nga policia në raport me peshqit e mëdhenj të cilët shpëtojnë. Edhe në qoftë se dikush i lidhur me krimin e organizuar arrestohet, ndaj tij ngrihen akuza jo fort serioze, të tilla si “pjesëmarrje në një rrjet kriminal”.

Ministri Saimir Tahiri thotë se kjo nuk është e vërtetë. “Ne nuk kemi zgjedhur të shkojmë pas fshatarëve që kultivojnë plantacione të vogla për të luftuar varfërinë. Ne ndjekim ata që, sipas analizave tona, janë “peshq të mëdhenj”. Kemi 1 600 procedime penale dhe kemi bërë më shumë se 400 arrestime, të cilat tregojnë se në po ndjekim ata që financojnë, organizojnë dhe nxjerrin përfitime nga ky biznes”. Në Shqipëri është përhapur gjerësisht shqetësimi mbi ndikimin e prodhimit të kanabisit, dhe faktit nëse do të munden të rinjtë ambicioze dhe të paduruar për një jetë të mirë të mos përzihen në këtë biznes. “Ka shumë të rinj në burg.

Unë mendoj se ata janë viktima” thotë Prifti katolik Gjergj Meta. “Shumë prej tyre, burra dhe gra, janë të bindur se mund të bëjnë shumë para. Kultivimi i kanabisit nuk na jep një kulturë pune. Njerëzit janë të dëshpëruar. Ata nuk shohin të ardhme”.

Atë Gjergji shkruajti një letër që u publikua online dhe u përhap me shpejtësi në Shqipëri. Ai ia adresoi atë një të riu imagjinar. “Ti ndoshta nuk ke mundësi ta lexosh këtë letër”, shkruante ai. “Sepse ti ndoshta sot je roje në ndonjë parcelë me kanabis, ose po qëron bimët në ndonjë magazinë, ose po transporton thasët, ose thjesht je në burg”. Më tej, në një prozë të bukur ai përshkruan se si historia e Shqipërisë e trazuar nga komunizmi, kultit të njeriut të fortë dhe krimit të organizuar i ka pakësuar mundësitë. Letra mbyllet me një apel për të rinjtë që t’u kthejnë shpinën parcelave me kanabis. Ndërkohë që alternativat mungojnë, kjo është një kërkesë që mund të bjerë në vesh të shurdhët.

comments powered by Disqus

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...