Mustafa fton opozitën në Komisionin Qeveritar për matje territori

30 Nëntor 2016 - 17:09      

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka folur për idenë e tij për krijimin e një komisioni i cili do të bënte matjen e territorit të Kosovës, duke thënë ndër të tjera se askush nuk ka arsye të frikësohet nga e vërteta para qytetarëve për demarkacionin.

Duke sqaruar se nuk bëhet fjalë për një komision të ri qeveritar ose për rishqyrtim të procesit të shënjimit të vijës kufitare, por vetëm për të bërë matjen e territorit, duke përfshirë vijën kufitare me Malin e Zi, Mustafa ka ftuar opozitën që të bëhet pjesë e këtij procesi në mënyrë që t’i hapet rruga kalimit të demarkacionit dhe liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës.

“Unë konsideroj, se ky është një proces i dobishëm për Kosovën, është i dobishëm për qytetarët e Republikës së Kosovës, sepse ata do ta marrin qartë informatën nga ekspertët e vendit lidhur me sipërfaqen e territorit të Republikës së Kosovës, dhe se a korrespondon kjo sipërfaqe me atë që Kosova ka trashëguar si shtet. Po ashtu, është një mesazh i qartë për të gjithë ata që deri më sot e kanë kontestuar shënjimin e vijës kufitare si kriter për përmbushjen e liberalizimit të vizave, që të heqin dorë nga kjo në qoftë se konsiderojmë se nuk kemi humbur territor. Ne qytetarëve të Republikës së Kosovës duhet t’ju japim të vërtetën dhe askush nuk ka arsye të frikësohet nga e vërteta para qytetarëve të Republikës së Kosovës, as Qeveria, as opozita. Unë do të dëshiroja që në këtë Komision për matje të jenë edhe përfaqësuesit e opozitës, të kemi ekspertë edhe të Aleancës, edhe të NISMA-s, edhe të Vetëvendosjes, edhe ekspertë tjerë të institucioneve qeveritare në mënyrë që bashkërisht të punojmë, sepse ekspertët janë ekspertë dhe ata do të punojnë mbi bazën e ekspertizës dhe rezultatet e kësaj ekspertize do t’i publikonim para qytetarëve të Republikës së Kosovës, përmes Qeverisë ose përmes formave që ata do të pajtoheshin”, ka thënë kryeministri Mustafa për transmetuesin publik.

comments powered by Disqus

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...