Peticioni “Drejtësi për Astritin” nesër në Kuvend

28 Nëntor 2016 - 19:00      

Shoqëria civile nesër do ta dorëzojë në Kuvendin e Kosovës peticionin me nënshkrimet e mbledhura për “Drejtësi për Astritin”.

Përmes një njoftimi për media, organizatorët kanë njoftuar se nesër në orën 14:00 peticioni “Drejtësi për Astritin”, do t’i dorëzohet Kryesisë së Kuvendit të Republikës së Kosovës, Qeverisë së Kosovës si dhe Komisionit Parlamentar për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, Persona të Pagjetur dhe Peticione.

Besa Luzha, Florina Duli dhe Rudinë Jakupi në emër të të gjithë qytetarëve do të dorëzojnë peticionin. Me këtë rast janë ftuar të gjithë qytetarët e vendit që t’i bashkohen atyre në dorëzimin e këtij peticioni.

Organizatorët kanë bërë me dije se sonte do të njoftojnë për numrin e saktë të nënshkrimeve që janë mbledhur në këto ditë.

Mbrëmë, dita e katërt e mbledhjes së nënshkrimeve është mbyllur me rreth 18 mijë sosh.

Shoqëria civile kishte thirrur të enjten protestë, pas përfundimit të së cilës bëri thirrje për nënshkrimin e peticionit që ishte përgatitur mbi këto pika:

1. Hetim të pavarur dhe transparent për rastin sa më parë

2. Dorëheqjen e udhëheqësve të Ministrisë së Drejtësisë dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme për mosgatishmërinë morale e ligjore për të kërkuar dhe dhënë përgjegjësi.

3. Fillimin e menjëhershëm të ndjekjes penale të përgjegjësve që dështuan të garantojnë sigurinë e jetës së Astritit në institucionet e shtetit dhe shkarkimin e zyrtarëve përgjegjës në tërë zinxhirin hierarkik për mos trajtimin dinjitoz të Astritit në qendrën e paraburgimit edhe pas vdekjes së tij.

4. Kryesia e Kuvendit të Kosovës në bazë të Nenit 38, paragrafit 1 të Rregullores së Punës së Kuvendit, të thërras mbledhje të jashtëzakonshme për rastin e Astrit Deharit.

Astrit Dehari vdiq në Qendrën e Paraburgimit në Prizren, në ditën e 5 nëntorit. Raporti i autopsisë ka gjetur se ai ka ndërruar jetë nga asfiksia e shkaktuar nga vet 26 vjeçari, por familja Dehari e lëvizja Vetëvendosje pjesë e të cilës ishte ai nuk po e pranojnë këtë version.

comments powered by Disqus

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...