Krijohet Unioni i Bashkive dhe Komunave Shqiptare në rajon

28 Nëntor 2016 - 09:53      

Krijohet për herë të parë Unioni i Bashkive dhe Komunave kryesore që drejtohen nga shqiptarë në rajon. Ky union synon krijimin e mekanizmave të duhur të bashkëpunimit ndërmjet qyteteve shqiptare.

Me synimin për t’u zgjeruar, unioni ka startuar me Bashkinë e Tiranës, Prishtinës, Tetovës, Ulqinit dhe Preshevës, që kanë firmosur një platformë bashkëpunimi në fusha si urbanistika, mjedisi, arti dhe inovacioni.

“Të pestë ne së bashku i shërbejmë rreth 1/3 së popullatës shqiptare në rajon dhe besoj se nëse ngjizim diçka të mirë sot, do të kemi bërë diçka të madhe për kombin tonë. Shumë shpejt do të kemi një rrjet të stabilizuar nga ku do të mësojmë prej eksperiencave të njëri-tjetrit”, deklaroi Veliaj.

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, theksoi se duhen shfrytëzuar energjitë për mirëqenien e qytetarëve: “Të tregojmë se ne mund të bashkëpunojmë e mund të punojmë për mirëqenien e qytetarëve tanë nga pozita ku jemi sot”.

Ndërsa kryetarja e Komunës së Tetovës, Teuta Arifi, theksoi rolin e femrës për ndryshim dhe sukses.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës i ftoi të pranishmit të ndjekin ceremonitë festive që janë organizuar me rastin e festave të nëntorit në Tiranë.

Prishtina, Tetova, Ulqini dhe Presheva udhëtuan drejt Tiranës për të shkëmbyer ide dhe eksperienca.

Qytetari i Parë i Tiranës ka pritur katër kryebashkiakët shqiptarë të rajonit. Prishtina, Tetova, Ulqini dhe Presheva udhëtuan drejt Tiranës për të shkëmbyer ide dhe eksperienca. Edhe pse dominant është ende kompleksi i pushtetarëve shqiptar, i krijuar natyralisht për shkak të retorikave në rajon për një Shqipëri të Madhe, për Erion Veliajn ky është shekulli ynë.

Teuta Arifi, e gjendur përballë një rebelimi të shqiptarëve në maqedoni ndaj partisë së Ali Ahmetit, në prag zgjedhjesh, vështirësinë e identifikoi tek kombësia, dhe përparimin tek gjinia.

Për kreun e kryeqytetit të dytë shqiptar në rajon,Prishtinë Shpend Ahmeti, shkëmbimi i ditëve dhe eksperiencave duhet të nisë nga baza,e jo nga ëndrra europiane.

Presheva, mundohet të mbajë ritmin.

Për Nazif Cungun, kreun e komunës Ulqin, shkëmbimi i eksperiencave është i një rëndësie thelbësore, për komunat e vogla si ajo e Malit të Zi.

Kryebashkiaku Veliaj njoftoi axhendën dy ditore të takimit me kryetarët e bashkive shqiptare në rajon. Prezantimi me projektet e ndermarra nga bashkia Tiranë si dhe shkembimi i eksperiencave mes njeri tjetrit do të kryesojnë axhendën e ngjeshur e cila do të kulmojë me takimin e së dielës.

Krerët e bashkive shqiptare do të diskutojnë mbi pesë tema kryesore, prioritete të zonave që ato vetë qeverisin si urbanistika, mjedisi, kultura, inovacioni dhe format e reja te financimit. Krerët e bashkive Tiranë, Prishtinë, Tetovë, Ulqin dhe Preshevë ndaluan edhe pranë monumentit të pavarësisë ku vendosën kurora me lule në prag të festave të 28-29 Nëntorit. 

comments powered by Disqus

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...