Foto: Koha / arkiv

Mustafa flet për “kokëboshët e banditët” të cilëve “s’u pëlqen progresi i Kosovës”

27 Nëntor 2016 - 15:51      

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, e ka pritur me shumë emocion lajmin për uljen e papunësisë në Kosovës, dhe atë për rritjen ekonomike të vendit.

Fillimisht, Mustafa shkroi në Facebook për shkallën e papunësisë në Kosovë, e cila, siç tha ai është 26.2% dhe si e tillë është më e ulëta në pesë vitet e fundit.

“Janë këto rezultate të dala nga Anketa e Fuqisë Punëtore, për gjashtëmujorin e parë të këtij viti, të kryer nga Agjensioni i Statistikave të Kosovës, i kumtuar nga ministri Abrashi. Trendi i mirë i uljes së papunësisë është rezultat i rritjes reale ekonomike”, shkroi ai.

Mirëpo, pas rreth dy orësh, shefi i ekzekutivit i është drejtuar sërish opinionit për këtë çështje, dhe për rritjen ekonomike në vend, si formë revanshi ndaj kritikëve të këtij raporti.

“Rritjen ekonomike të Kosovës prej 4% vitin e kaluar dhe mbi 4% këtë vit, që është më e larta në Evropë, si dhe uljen e papunësisë nga 35.3% në vitin 2014 në 26.2% këtë vit, e konstatojnë institutet relevante. Jo Kryeministri”, ka thënë Mustafa, raporton Koha.net.

“Kokëboshëve e banditëve mund t’u pengojë progresi i Kosovës. Sa më shumë që kemi progres aq më pak do të ketë hapësirë për mashtrues që vjelin të varfrit. Vendi ka filluar të frymojë lirshëm nga bosët e kazinove dhe reketit, nga sekserët dhe ryshfeti. Prandaj ka zhvillim”, ka theksuar Mustafa në postimin e tij.

Të premten, Agjencia e Statistikave të Kosovës publikoi raportin për papunësinë në Kosovë, duke theksuar se shkalla e papunësisë ka pësuar rënie. Në vitin 2014, sipas raportit të ASK-së, papunësia në Kosovë ishte 35.3%, në vitin 2015 ishte 32.9%, ndërsa për këtë vit, deri më tani, del të jetë 26.2%.

Për këtë kishte shkruar në Facebook edhe ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi.

“Krahasuar me 2014, vetëm dy vite më parë rezulton që këtë vit kemi një rënie impresive të papunësisë prej 9.1 %. Ky rezultat është vërtetë inkurajues sepse tregon një trend të rënies së papunësisë përgjatë tërë vitit 2016 (TM1 2016 27.7%, TM2 2016 26.2%). Dhe jo vetëm kaq, kjo rënie e papunësisë është më e ulëta në pesë vitet e fundit në vendin tonë. Duke filluar prej vitit 2012 e deri me 2015, papunësia në Kosovë asnjëherë nuk kishte pësuar rënie nën 30%. Viti 2016 shënon herën e parë që papunësia bie nën këtë nivel, duke arritur në 26.2%”, shkroi ministri Abrashi.

Ai tha se shteti është i vetëdijshëm për problemet ende të shumta, por me këtë trend të rënies së papunësisë, me buxhetin që për herë të parë e arrin shifrën prej dy miliardë eurosh dhe me rritjen e përgjithshme të zhvillimit ekonomik në rreth 4%, sipas Abrashit, “këto trende pozitive vetëm sa do të vazhdojnë të rriten duke rritur kështu zhvillimin ekonomik dhe mirëqenien sociale të qytetarëve tanë”. 

comments powered by Disqus

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...