Xhelal Sveçla ngre dyshime të reja për vdekjen e Astrit Deharit

26 Nëntor 2016 - 23:31      

Vdekja e aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Dehari bëhet edhe më e mistershme. Qendra Kosovare për Mbrojtjen e Viktimave nga Tortura publikon një tjetër raport, i cili thotë se Dehari është dërguar me shenja jete në emergjencë, ndërsa kjo e fundit kishte deklaruar se erdhi i pajetë, raporton “OraNews”.

Pas konkluzioneve të Prokurorisë së Kosovës, e bazuar në ekspertizën mjeko-ligjore, e cila thekson se Astrit Dehari ishte vetëvrarë, është Qendra Kosovare për Mbrojtjen e Viktimave nga Tortura, e cila publikon një tjetër raport për rrethanat e humbjes së jetës të aktivistit të Vetëvendosjes me fakte që bien në kundërshtim me faktet e publikuara.

Xhelal Sveçla, anëtar i Kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje, për “OraNews” zbulon detajet e raportit.

Xhelal Sveçla, duke iu referuar raportit të fundit, thotë: “Raporti thotë se ndihma mjekësore e dhënë në këtë rast nuk është profesionale. Në deklaratën e infermieres, e cila thotë se ajo Astritin e ka gjetur me puls dhe rrahje normale, kurse urgjenca thotë se Astritin e ka pranuar pa shenja jete”.

Disa fakte të këtyre raporteve zyrtare, sipas Lëvizjes Vetëvendosje janë të pabesueshme.

“Instituti i Mjekësisë Ligjore nxjerr një raport të dytë, rrjedhimisht si shkak të vdekjes ka nxjerrë dy: Asfiksia dhe ndaljen reflektore të punës së zemrës nga refleksi vazovagal. Është e pamundur, ose Astriti ka vdekur nga asfiksia, ose Astriti ka vdekur menjëherë. Të dyja këto nuk shkojnë”, thotë Sveçla, raporton “OraNews”.

Ndryshe, aktivisti Astrit Dehari humbi jetën në 5 nëntor teksa ndodhej i arrestuar në qendrën e paraburgimit në Prizren.

Rrethanat e vdekjes së tij janë ende të paqarta, ndërsa Prokuroria ende nuk ka mbyllur hetimet për këtë ngjarje. 

comments powered by Disqus

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...