Sindikalistët duan tri paga pas pensionimit për mësimdhënësit

26 Nëntor 2016 - 15:33      

Më shumë se njëmijë mësimdhënës në Kosovë që kanë dalë në pension vitin e kaluar dhe gjatë këtij viti, nuk kanë arritur t’i marrin tri paga me rastin e pensionimit, ashtu siç u takon sipas Kontratës Kolektive.

Komunat, sipas ligjeve, kanë obligim që t’i paguajnë pagat për punëtorët e arsimit, por edhe për ata që dalin në pension.

Për këtë çështje, Sindikata e Bashkuar për Arsim, Shkencë dhe Kulturë, kërkon nga autoritetet lokale në Kosovë, që të respektohet Kontrata Kolektive për Arsimin Parauniversitar, në të kundërtën do të ngrenë padi ndaj disa komunave.

Në Kontratën Kolektive të Arsimit Parauniversitar, të nënshkruar në vitin 2014 nga Ministria e Arsimit dhe Sindikata e Arsimit, ndër të tjera thuhet se punëtorët (anëtarë të SBASHK-ut) që dalin në pension, përfitojnë pagesë përcjellëse në lartësi të tri pagave, sipas mesatares së tri pagave të fundit të punëtorit.

Rrahman Jasharaj, kryetar i SBASHK-ut, për Radion Evropa e Lirë, thotë se përveç komunës së Obiliqit dhe Drenasit, komunat tjera të Kosovës po hezitojnë të zbatojnë këtë obligim.

Jasharaj, tregon se mbi 21 mijë është numri i anëtarëve të SBASHK-ut.

“Pasi që komunat nuk e kanë kryer këtë obligim, ne (SBASHK) edhe një herë po i ftojmë përmes ftesave zyrtare, që të bëjnë, nëse nuk e bëjnë atëherë përgjigjet e tyre negative do të na detyrojnë që lëndën ta bartim në gjykatë”, thotë Jasharaj.

Sipas Jasharajt, mbi 1200 euro llogariten tri paga të punëtorëve të arsimit të shkollave fillore, që duhet t’i gëzojnë pas pensionit, kurse mbi 1300 euro mësimdhënësit e shkollave të mesme.

Zyrtarë të Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, shprehen se kjo çështje është diskutuar disa herë në takimet e rregullta me drejtorët e drejtorive komunale të arsimit.

Alush Istogu, drejtor i Departamentit Parauniversitar në Ministrinë e Arsimit, për Radion Evropa e Lirë, thekson se ky obligim duhet të përfundohet sipas marrëveshjes se nënshkruar.

Istogu beson se me një planifikim më të mirë buxhetor të komunave, këto paga nuk do të paraqesin problem për ekzekutim.

“Sigurisht që kanë probleme buxhetore, nuk i kanë planifikuar, dhe unë besoj se kanë mundësi, që të bëhet planifikimi i tyre, kur të bëhet plani buxhetor dhe të bëhet ekzekutimi i atyre pagave”, thekson Istogu.

Rrahman Jasharaj, në anën tjetër, thotë se fjalën përfundimtare për këtë çështje duhet ta japin autoritetet e drejtësisë.

“Ne do të lëmë që fjalën e fundit ta thotë gjykata, por nga përvoja që kemi deri më tash, paraqitjet individuale nëpër gjykata, ata të gjithë i kanë fituar lëndët. Mësimdhënësit tanë i kanë marrë vendimet nga gjykatat që u takojnë tri pagat, dhe besojmë se kur shkojmë me lëndë unike për të gjithë mësimdhënësit do ta përfitojmë lëndën”, shpjegon ai.

Përveç tri pagave, punëtorët anëtarë të SBASHK-ut, që dalin në pension, sipas Kontratës përfitojnë edhe shpërblime jubilare në bazë të përvojës se punës.

comments powered by Disqus

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...