Italia kthen shërbimet e “call center”, preket Shqipëria

25 Nëntor 2016 - 21:17      

Komisioni i Buxhetit pranë Dhomës së Deputetëve në Itali aprovoi një amendament të ligjit të stablilitetit 2017, që parashikon rregulla më të rrepta për zhvendosjen e shërbimeve të “call center”.

Kohët e fundit transferimi i këtyre aktiviteteve në vende fqinje, kryesisht në Shqipëri, ka shkaktuar në vend protesta të punonjësve italianë.

Norma e re, që do të hyjë në fuqi sapo të botohet në gazetën zyrtare, parashikon një lloj faljeje për ata që kanë zhvendosur aktivitetin e tyre në një vend jo anëtar të Bashkimit Europian përpara se të dilte norma e re.

Gjithsesi, firmat janë të detyruara të japin komunikimin brenda 60 ditësh, përndryshe parashikohen gjoba prej 10 mijë eurosh për çdo ditë vonesë.

Ndërmarrjet që vendosin të transferojnë aktivitetin në vendet jo europiane nuk mund të përfitojnë nga asnjë lehtësim fiskal dhe do të kenë probleme për të marrë pjesë në tenderët publikë, raporton tch.

Sipas përfaqësuesve të sindikatave kryesore, amendamenti nuk do të kthejë në Itali aktivitetet e këtij lloji, shumica e të cilave veprojnë në Shqipëri, por thjesht do t’i spostojë në një vend anëtar të Bashkimit Europian, siç mund të jetë Rumania.

Ata këshillojnë gjithsesi një kontroll më të rreptë në këtë fushë. Ende nuk dihet nëse teksti do të pësojë ndryshime gjatë shqyrtimit në Senat.

Ndërkohë llogaritet që nëse fluksi i zhvendosjes së firmave të “call center” nuk frenohet, në Itali brenda disa muajsh janë në rrezik rreth 70 mijë vende pune.

comments powered by Disqus

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...