Demonstratat e 1968-s u ideuan në “Universitet” dhe e bënë Universitetin

27 Nëntor 2016 - 08:04      

Demonstratat shqiptare të 27 nëntorit të vitit 1968 në Kosovë, s’kishin asnjë lidhje me demonstratat e Evropës e të Beogradit, as ideore e as konceptuale. Ato ishin krejt autoktone, origjinale dhe me karakter të theksuar kombëtar.

Erdhën si rezultat i pakënaqësive të grumbulluara që po zienin në kokat e njerëzve dekada me radhë. Përbërësit e binomit Universiteti i Prishtinës dhe demonstratat e vitit 1968, e gjeneruan shoqi-shoqin: demonstratat e vitit 1968 u ideuan në “Universitet” ndërsa ato e bënë Universitetin, rikujton profesori Murat Blaku, në një punim që ditë më parë e botoi “Koha Ditore”.
Po e transmetojmë në ditën që ato u zhvilluan, 48 vjet më vonë.

Dyzet e tetë vjet përbëjnë një distancë historike të mjaftueshme mbase për një vlerësim real e të drejtë të ngjarjeve. Kontekstualizimi në rrafshin vertikal e horizontal i tyre është gjithashtu një premisë tjetër e domosdoshme për një cilësim më të drejtpeshuar e më objektiv. Dalja jashtë këtyre suazave rrënon themelet e analizës dhe, për pasojë, sinteza rezulton e mangët.
Për demonstratat e vitit 1968 është shkruar mjaft, janë botuar libra, fejtone, shkrime të rastit në përvjetorë. Autorët e tyre janë edhe bashkorganizues e pjesëmarrës të drejtpërdrejtë në ngjarje. Ky fakt vetvetiu ngërthen në vete dy elemente si imanencë e pritshme dhe e natyrshme për këta autorë: prezantimin autentik dhe përgjegjësinë morale për vlerësimet. Sado që këto dimensione nuk u mungojnë, ka në këto botime edhe segmente të interpretimit të qortueshëm, protagonizime jokritike të individëve, apo ndonjëherë edhe lënie nën hije të rolit shumë domethënës të individëve të tjerë. Mënjanimi i tyre ndërkaq u bën nder vetë autorëve.

Konteksti i përgjithshëm

Inversioni i përbërësve të binomit të vënë në titullin e këtij shkrimi edhe mund të duket i panatyrshëm kundrejt dimensionit kohë, po e vërteta është se korrelacionet gjenerike në dritën e raporteve të dyanshme shkak-pasojë të tyre, të çojnë pikërisht në këtë radhë sado që Universiteti de jure nuk ekzistonte ende, çështje kjo që do të preket më vonë.
Cili ishte konteksti i përgjithshëm i rrethanave historike, politiko-shoqërore, të brendshme e të jashtme të kohës brenda të cilit gjetën motive e shtytje, u nxitën e u provokuan, u organizuan dhe shpërthyen demonstratat shqiptare të vitit 1968? Pa dyshim ai ishte mjaft kompleks, po i përvijueshëm, i ndërvarur po i zbërthyeshëm, i ndërlikuar po i sqarueshëm, por jo i tillë që mund të ndriçohet në tërësi përmes një kumtese, aq më tepër që autori i saj nuk është një historian.

Megjithëkëtë kujtesa historike kolektive e kohës së re e shqiptarëve të këtej kufirit është përplot me vërragë të thella në shpirtin e secilit, shkaktuar nga ngjarje aq të hidhura e tragjike, sa të qenët historian s’është kusht i domosdoshëm për t’i kuptuar e njohur ato. Muri ndërmjetshqiptar i Berlinit u ngrit një gjysmë shekulli përpara murit ndërmjetgjerman. Dhe nëse ky i fundit bashkë edhe me ndarjen e vendit nga aleatët fitues të luftës justifikohej si masë ndëshkimi për fajet dhe përgjegjësinë për krimet e Luftës së Dytë Botërore, ç’faj kishin shqiptarët e ngratë që i ndanë përgjysmë? Dhe kjo ndarje ishte e përllogaritur mirë dhe në funksion të përshpejtimit të vetërënies së pjesës që u quajt shtet shqiptar: shkëputja trojet më të pasura e më pjellore e ia lë shkrepat e moçalet; mbaj nën zapt të fortë e nën terror shtetëror popullatën më homogjene në pikëpamje të konstitucionit shpirtëror gjuhësor, të besimit etj., dhe lëre andej gjysmën tjetër heterogjene e me dallime të mëdha krahinore, gjuhësore, të konfesionit etj., sepse e përballuar edhe me varfërinë e madhe ajo do të zhbëhej vetë dhe çështja shqiptare do të hiqej nga rendi i ditës. Mirëpo, koha e tregoi se këto ishin llogari pa hanxhinë: as nuk u nënshtrua e nuk u asimilua me gjithë masat e egra të shtypjes e shpërnguljes gjysma e këndejme, as s’u përça e nuk u tret gjysma e andejme.

Por trauma e ndarjes megjithëkëtë u bart nga brezi në brez e la gjurmë të pashlyeshme në të dyja anët, qe edhe mbeti një tragjedi historike kombëtare. Ajo erdhi si rezultat i kompromisit dhe i koniunkturave të diplomacisë evropiane, e cila sheshazi i flijoi shqiptarët me shpresë se do ta parandalonte plasjen e Luftës së Parë Botërore. Mirëpo kjo vetëm sa i rriti apetitet imperialiste të fqinjëve sllavë: politika megalomane e arrogante serbe e organizoi atentatin e Sarajevës dhe piromanët e ndezën Evropën flakë. Konferenca e Paqes e Versajës jo që s’e mori në shqyrtim drejt e me përgjegjësi serioze shqyrtimin e fatit të shqiptarëve të ndarë, po me ecurinë e saj po e rrezikonte edhe Shqipërinë londineze. Ishin hapur dosjet e Traktatit te Fshehtë të Londrës, por ndërhyrja energjike e presidentit Wilson e mbylli këtë çështje.

Shqiptarët këndej kufirit iu nënshtruan okupimit të Jugosllavisë monarkiste, politikës së terrorit të egër shtetëror, të shtypjes nacionale, të mohimit të çdo të drejte, të asimilimit e të shpërnguljes me dhunë. Kësaj gjendjeje të padurueshme i dha fund kapitullimi i Mbretërisë Jugosllave dhe pushtimi gjerman i saj. Në rrethanat e reja gjeopolitike e gjeostrategjike dhe për nevojat e tyre taktike e pragmatike, pushtuesit italianë e gjermanë e shfrytëzuan me dinakëri pakënaqësinë e shqiptarëve të ndarë dhe i bashkuan në një shtet. Pavarësisht nga të gjithat, e vërteta është se shqiptarët ishin të bashkuar në një shtet dhe, pjesa e tyre që deri dje ishin nën pushtimin jugosllav e grek po e shijonin kënaqësinë e lirisë, u organizua administrata shtetërore shqiptare, u hapën shkolla, u arrit një këndellje e përgjithshme kombëtare. Por, për fat të keq, e gjithë kjo po ndodhte në rrethana të një lufte botërore, fundi dhe epilogu i së cilës kishin zënë të dukeshin në horizont.

Me gjithë propagandën e fortë demagogjike të sunduesve nazifashistë që e paraqitnin veten si çlirues e bashkues të shqiptarëve, këta të fundit me një sens politik të qartë e vizionar nuk ranë në këtë grackë. U organizuan politikisht e ushtarakisht dhe morën pjesë në luftë në krahun e aleatëve kundër forcave të Boshtit. Kjo pjesëmarrje gjente shtytje dhe motivohej fuqimisht nga premtimet e të Mëdhenjve dhe traktatet ndërkombëtare se popujt që po merrnin pjesë në koalicionin antifashist do ta siguronin të drejtën e vetorganizimit politik, prandaj edhe të korrigjimit eventual të padrejtësive historike të së kaluarës. Kjo sa i përket rrafshit global.

Shovinizmi i vjetër me petk të ri

Në planin rajonal ndërkaq, shqiptarët zgjodhën rrugën e bashkëpunimit të sinqertë me popujt fqinj në luftën antifashiste. Ky sinqeritet, që në momente të caktuara kalonte edhe në naivitet, u keqpërdor brutalisht. Shqiptarët e Kosovës përballë akteve politike që po vendosnin për rikompozicionimin shtetëror-politik të pasluftës në Jugosllavi, iu përgjigjën vendimeve të Mbledhjes së Dytë të AVNOJ-it, që u mbajt në Jajcë me Mbledhjen e Bujanit, një muaj më pas. Por Bujani u anulua se shovinizmi i vjetër kishte veshur petk të ri. Në shtator të vitit 1944 de fakto, dhe në shkurt të vitit 1945 de jure u shpërnda Shtabi i Përgjithshëm i Aradheve Partizane të Ushtrisë Nacionalçlirimtare të Kosovës dhe u shkarkua komandanti i saj, u dekretua gjendja e administrimit ushtarak në Kosovë, u shpall mobilizimi i dhunshëm ushtarak për zbrazjen e Kosovës nga potenciali i saj njerëzor, u pushkatuan me mijëra të rinj kosovarë në Tivar, u ndërmorën një varg ekspeditash ushtarake për të shtypur me gjak çdo përpjekje të kundërvënies së organizuar ndaj pushtetit të ri.

U rivu kufiri dhe zezona shqiptare po përsëritej në një version të ri. U ngritën gjykata ushtarake dhe u likuiduan shumë personalitete të njohura. Për më shumë se dy dekada u burgosën e u dënuan grupe politike të spektrit të djathtë e të majtë që s’i shkonin për shtati pushtetit, ngase s’pajtoheshin me gjendjen aq të rëndë të popullsisë shqiptare. Në funksion të një presioni masiv e brutal mbi popullatën u organizua aksioni famëkeq i mbledhjes së armëve nga shqiptarët, edhe nga ndonjë serbo-malazez sa për sy e faqe. Me qindra njerëz vdiqën nga torturat në kushtet e një dimri siberian. Nga të drejtat e premtuara gjatë luftës u lejua vetëm arsimi në gjuhën amtare, kryesisht fillor, sepse atë e kishin hapur më parë edhe pushtuesit nazifashistë dhe s’kishte si të veprohej ndryshe.

“Çdo shqiptar i shkolluar është një armik më shumë për Jugosllavinë”

Masat shtrënguese sa vinin e bëheshin më të rrepta deri në korrikun e vitit 1966, kur mori epilogun e vet ballafaqimi i dy rrymave politike në kreun më të lartë të udhëheqjes politike jugosllave, me rënien e kreut serbomadh. Shpërtheu një eufori e nxitur edhe nga kreu politik për t’u krijuar iluzioni se gjithçka do të rishikohej e do të merrte rrugën e mbarë për shqiptarët e nëpërkëmbur. Por, shumë shpejt u pa se ky ishte vetëm një taktizim politik i udhëheqjes federative i përkrahur edhe nga garnitura e udhëheqjes shqiptare të kohës. Kjo e fundit, ç’është e vërteta, në konstelacione të caktuara të raporteve në kreun federativ përpiqej të siguronte ndonjë të drejtë më të avancuar nacionale të shqiptarëve, sidomos në fushën e arsimit. Kështu më 1958 u hap në Prishtinë Shkolla e Lartë Pedagogjike, si institucion i parë i arsimit të lartë.

Më 1960 Fakulteti i Filozofisë edhe me grupet e Shkencave Matematike-Natyrore brenda tij; më 1961 Fakulteti Juridik-Ekonomik si quhej atëherë; më 1965 Fakulteti i Teknikës. Dy fakultetet e para në fakt përbënin nga dy fakultete. Kështu në Prishtinë më 1965 de fakto funksiononte universiteti, i cili nuk po përurohej de jure edhe zyrtarisht, veç të tjerash edhe për shkak se ishin të forta forcat antishqiptare në strukturat e pushtetit e të institucioneve shkencore-kulturore që e kundërshtonin këtë. Mjafton të përmendet një deklaratë e shkrimtarit të njohur dhe akademikut fashizoid Millosh Cërnjanski, i cili deklaronte: “… Nuk e kuptoj pse hapni fakultete në Prishtinë! Çdo shqiptar i shkolluar është një armik më shumë për Jugosllavinë”. Tërbimi i shovinizmit s’ka se ku të shkojë më tej.

Misioni i universitetit të pashpallur

Megjithëse i pashpallur, ky universitet po e kryente misionin dhe funksionin e tij. Sado që mësimi zhvillohej paralelisht në të dyja gjuhët, në fillim me një epërsi absolute të serbishtes dhe pothuaj i gjithë personeli administrativo-teknik përbëhej nga serbo-malazezë, ai po hidhte shtat me vrull dhe shumë shpejt u shndërrua në një qendër që po mblidhte studentë nga të gjitha trojet shqiptare të këndejkufirit. Aty me kohë u angazhua në procesin e mësimdhënies kremi i inteligjencies shqiptare. Këta të fundit kishin përpara një rini të shëndetshme, të edukuar e entuziaste, shumë të etshme për dije dhe kureshtare. Raportet zyrtare ndërmjet tyre në përgjithësi ishin korrekte, dhe kjo ndikonte në ndërtimin e autoritetit dhe të respektit të dyanshëm. Nderimi i detyrueshëm ndaj mësimdhënësve relativisht më të moshuar shkonte tok me raportet e një afërsie më të madhe të studentëve me ata të brezit më të ri, sidomos me asistentët.

Në klimën e një kuaziliberalizmi që erdhi pas vitit 1966, edhe në shkollat e larta e fakultete u krijua një atmosferë politikisht më e lirshme. Gjatë ligjëratave, ushtrimeve, konsultimeve, përveç çështjeve thjesht mësimore, sidomos në profilet e studimeve humanitare, studentët shumë shpesh ngrinin edhe çështje të karakterit jashtëmësimor, që në atë kohë konsideroheshin politikisht delikate e me pasoja të mundshme. Mësimdhënësit, pjesa më e madhe e tyre, në raste të tilla të ndodhur “ndërmjet Scilës e Haridbës” më së shpeshti i referoheshin gjuhës së Ezopit, metaforikës, simbolikës. Megjithëkëtë me zgjuarsinë që i karakterizonte ata gjithnjë e kuptonin mesazhin përkatës. Kështu nuk ndodhte ndërkaq në kontakte gati të rregullta joformale më të ngushta, pak më konfidenciale, kur hiqej çdo tabu dhe zhvilloheshin debate të ngjeshura për tema të ndryshme, qoftë nga kujtesa e hidhur historike, që u skicua në vija të trasha më sipër, qoftë nga aktualiteti i realitetit të kohës, siç ishin prapambetja më e madhe ekonomike krahasuar me viset e tjera të Jugosllavisë së atëhershme, papunësia masive, pozita e diskriminuar kushtetuese-juridike dhe politike e shqiptarëve dhe ndarja e tyre me qëllim defaktorizimi në katër njësi territoriale-administrative brenda federatës etj. Në këto debate ata, në pjesën më të madhe, jepnin prova pjekurie e formimi solid.

Kjo tregonte se ata, pos literaturës së profilit të studimeve, lexonin edhe vepra letrare, beletristikë, revista kulturore që vinin nga Shqipëria e vende të tjera. Dëgjonin me shumë interes radiot e huaja si BBC, “Zëri i Amerikës”, RFI, po në veçanti Radio-Tiranën. Kjo e fundit pothuaj rregullisht transmetonte informacione, artikuj, komente, vështrime të thukëta që vinin në pah problemet më të mprehta me të cilat përballeshin shqiptarët këndej kufirit, jo vetëm në Kosovë. Është shumë e vërtetë që kjo nuk ishte thjesht një propagandë politike, po një sensibilizim i opinionit publik për realitetin e rëndë. Ajo u mëshonte problemeve në palcë dhe, mbështetur gjithnjë mbi argumente të qëndrueshme e fakte konkrete, përbënte kështu një shtyllë të fortë për tone të një optimizmi të përmbajtur se megjithatë çështjet po evidentoheshin nga dikush. Kjo kishte një rëndësi shumë domethënëse në rrethanat e një ndjenje shumë të përhapur pesimizmi e zhgënjimi, që ndonjëherë shkonte deri në rezignim.

Thyerja e mitit të paprekshmërisë së pushtetit

Ndërkohë, trajtimi i këtyre problemeve po merrte jo vetëm dimensione serioze, por edhe forma të veprimit pothuaj legal përmes tribunash e debatesh publike. Në to gjithnjë e më me kurajë e guxim po rriheshin tema me rëndësi kruciale për interesat nacionale. Po ofroheshin alternativa e vizione të projektuara mbi bazën e argumenteve të fundamentuara mirë e nga autorë me kompetencë shkencore. Kështu, lëvizja kombëtare tashmë po e ndërtonte platformën e saj mbi një filozofi politike më të avancuar e më të sofistikuar, me një diskurs modern e të intelektualizuar. Ajo gjithnjë e më shumë po i shqetësonte qarqet politike e po i alarmonte sidomos rrethet intelektuale, shkencore e pedagogjike serbo-malazeze të universitetit ende të pashpallur. Pothuaj në çdo mbledhje drejtuese të organeve të fakulteteve, në këshillat mësimore shkencore, nëpër degë e katedra kishte ballafaqime të rrepta, konflikte e mospajtime të thella lidhur me proceset aktuale. Pjesa më e madhe e mësimdhënësve shqiptarë i mbronin ato me vendosmëri e dinjitet. Kjo atmosferë ndiqej me interesim nga studentët dhe i gjithë opinioni publik. Asaj i bënte jehonë, sado që të kontrolluar, edhe shtypi. Ishte shtrirë edhe në shkollat e mesme. Ajo po përhapej përmes studentëve edhe në të gjitha viset shqiptare të këndejkufirit.

Postulatet politike të institucioneve të arsimit të lartë e universitar gjetën shprehjen e tyre sidomos në fushatën e diskutimeve për ndryshimet kushtetutare. Aty, në pjesën më të madhe pikërisht nga kuadrot universitare, bërthamën e të cilëve e përbënin Fehmi Agani, Ali Hadri, Gazmend Zajmi, Syrja Pupovci etj. (ky i fundit më vonë devijoi), u shtruan në mënyrë të prerë, të argumentuar e pa ekuivokë kërkesat gjithëpopullore për korrigjimin e të gjitha padrejtësive që u ishin bërë shqiptarëve pas Luftës së Dytë Botërore.

E zënë ngushtë përballë tyre, udhëheqja më e lartë politike e Jugosllavisë në krye me liderin e saj të gjithëpushtetshëm, u tregua edhe një herë konsekuente në qëndrimin e saj ndaj të drejtave nacionale të shqiptarëve: dëshmoi edhe një herë se politika që ndiqte ndaj çështjes nacionale të shqiptarëve nuk qe asnjëherë parimore, po thellësisht koniunkturale dhe refuzoi kërkesën kryesore për avancimin e Kosovës në rang republike të Federatës. U provua edhe një herë se të drejtat nacionale të dozuara të shqiptarëve i maste me gramarë të peshores së farmacistit. Kjo shkaktoi një zhgënjim dhe zemërim të madh. Si në shirit celuloidi njerëzve po u rikujtoheshin të gjitha të zezat e memories historike, kupa po mbushej dhe masa kritike po i afrohej zgripit.

Ndërkohë Evropa Perëndimore ishte trazuar nga protesta e demonstrata të rinisë studentore. Ato kishin filluar që me shfaqjen e “bitëllsve” dhe ishin zgjeruar të frymëzuara nga ide të majta të disa filozofëve të njohur të kohës. Simboli i tyre ishte MMM (Marks, Mao, Markuze). Kërkesat e tyre kishin prapavijë sociale. Në Beograd, në qershor, shpërthyen demonstrata që opinionit i prezantoheshin si revoltë për të drejta e barazi sociale. U pa shumë shpejt se kjo ishte vetëm një përpjekje për kamuflimin e kërkesave politike me karakter të theksuar regresiv.

Do thënë qartë e përsëritur edhe një herë: demonstratat shqiptare të vitit 1968 s’kishin asnjë lidhje me demonstratat e Evropës e të Beogradit, as ideore e as konceptuale. Ato ishin krejt autoktone, origjinale dhe me karakter të theksuar kombëtar. Erdhën si rezultat i pakënaqësive të grumbulluara që po zienin në kokat e njerëzve dekada me radhë.
I frymëzuar nga impulset politike që vinin nga qarqet intelektuale universitare e më gjerë, i instruktuar në rrafshin organizativ me pjekuri e zgjuarsi të pashoqe nga Ismail Dumoshi, që ishte në kontakte të vazhdueshme me këto rrethe, grupi i të rinjve kryesisht studentë nga Prishtina e komunat përreth: Osman Dumoshi, Adil e Ilaz Pireva, Selatin Novosella, Afrim Loxha, Skënder Muçolli, Xheladin Rekaliu, Skënder Kastrati, Hasan Dërmaku e të tjerë, u vunë me kurajë në ballë të turmës që e tundi kryeqytetin. Guximi i vrullit djaloshar e mposhti frikën e mentalitetin e pasigurisë, theu mitin e paprekshmërisë së pushtetit, ua ktheu popullit dinjitetin e krenarinë. Lëvizja kombëtare doli kështu nga ilegaliteti dhe, sado që nuk u legalizua, kjo ishte një nga meritat më të mëdha të këtyre demonstratave, sepse përbën një gur shënues themelor të historisë sonë të re.

Demonstratat që shpërthyen më 27 nëntor në Besianë (Podujevë), Gjilan, Ferizaj e Prishtinë qenë një goditje veçanërisht e rënde për pushtetin, ngase u zhvilluan ditën që po festohej 25-vjetori jubilar i Mbledhjes së Dytë të AVNOJ-it, prej nga po transmetonin pesë kompani të mëdha televizive të botës së jashtme, kështu që patën një jehonë jashtëzakonisht të madhe. Me demagogjinë e tij karakteristike, sovrani jugosllav u mundua t`i minimizonte ato para gazetarëve të shumtë, por koha e provoi se me to po hapej një faqe e re e historisë.

Prijësit e demonstratave morën shumë vjet burg, ndërsa disa nga mësimdhënësit universitarë hynë, për të mos dalë asnjëherë, në listat e zeza të Partisë-shtet e të policisë sekrete.
Për fund: përbërësit e binomit të vënë në titull e gjeneruan shoqi-shoqin: demonstratat e vitit 1968 u ideuan në “Universitet”, ndërsa ato e bënë Universitetin.

(Autori, Prof.Dr. Murat Blaku, është gjuhëtar, ish-profesor në Degën e Gjuhës Shqipe në Fakultetin e Filologjisë në Universitetin e Prishtinës)

comments powered by Disqus

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...