ZRRE thotë se nuk është shtrenjtuar rryma, me tarifë të lartë synojnë kursimin e energjisë

23 Nëntor 2016 - 17:21      

Zyra e Rregullatorit për Energji ka sqaruar situatën e çmimeve të energjisë elektrike, duke thënë se çmimet e energjisë elektrike nuk kanë ndryshuar fare.

“Për shkak të reagimeve të shumta në lidhje me çmimet e energjisë elektrike, ZRRE dëshiron të sqarojë për të gjithë qytetarët se çmimet e energjisë elektrike për konsumatorët shtëpiak janë të njëjta që nga viti 2014. Përderisa Struktura Tarifore nuk ka ndryshuar që nga viti 2007. Struktura e tanishme tarifore e energjisë elektrike është vendosur nga Bordi i ZRRE si zgjidhje për të përshtatur çmimet me karakteristikat e sistemit elektro-energjetik në vend, me qëllim të sigurimit të shërbimeve me çmime që mbulojnë kostot e arsyeshme të këtij sistemi”, thuhet në sqarimin e ZRRE-së.

ZRRE, sipas kësaj komunikate, vazhdimisht është përpjekur të sqarojë për konsumatorët se duke filluar nga muaj tetor fillojnë tarifat e sezonit të lartë.

“Arsyeja e ndarjes së tarifave sezonale është që të bëhet përshtatja me kërkesën e konsumit të energjisë elektrike e që me fillimin e sezonit të lartë konsumi i energjisë elektrike fillon të rritet dhe në të njëjtën kohë çmimet janë më të larta. Qëllimi i vendosjes së tarifës së sezonit së lartë është që të nxitet kursimi i energjisë elektrike gjatë muajve kur ngarkesa rritet dhe zvogëlohen mundësitë për të furnizuar të gjithë konsumatorët vetëm nga gjenerimi vendor. Në këtë mënyrë imponohet importi i energjisë me çmime më të larta”, vazhdon tutje sqarimi i ZRRE-së.

Konsumatorët në sezonin e ulët, sipas tyre, paguajnë tarifa nën kosto mesatare të shërbimit, ndërsa e kundërta ndodh për sezonin e lartë.

“ZRRE gjatë përcaktimit të strukturës tarifore, me qëllim që të nxisë konsumatorët ta kursejnë energjinë si dhe të mbrojë konsumatorët me të ardhura më të ultë ka krijuar grupet tarifore. Blloku i parë tarifor aplikohet tek konsumatorët që kanë konsumin mujor deri në 200kWh; blloku i dytë tarifor aplikohet tek konsumatorët me konsum mujor nga 201kWh/muaj deri në 600 kWh dhe blloku i tretë tarifor aplikohet për konsumin mujor mbi 600 kWh”, thuhet aty, teksa bëhet thirrje që të kursehet energjinë elektrike gjatë këtij sezoni.

“Rritja e konsumit, sidomos duke përdorur energjinë elektrike për ngrohje, mund t’i vendos ata në grup të konsumit më të lartë dhe duke pasur parasysh edhe diferencën nga çmimet e sezonit të ulët faturat e tyre mund të dyfishohen”, përfundon ZRRE.

comments powered by Disqus

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...