Madagaskari nuk e dëgjon Daçiqin, pranon kërkesën për njohje të Kosovës nga Hoxhaj

23 Nëntor 2016 - 15:36      

Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Enver Hoxhaj ka takuar sot ministren e Jashtme të Madagaskarit, Beatrice Atalla, në kuadër të Samitit të Frankofonisë që po mbahet në Madagaskar.

Hoxhaj e ka falënderuar homologen për ftesën si vend nikoqir i Samitit të Frankofonisë, ndërsa ka biseduar për njohjen e pavarësisë së Kosovës nga ky shtet. Me këtë rast Hoxhaj i ka dorëzuar ministres Atalla edhe kërkesën zyrtare për njohje.

Pas takimit, Hoxhaj deklaroi se pret mbështetjen e Madagaskarit për Kosovën dhe se është i interesuar për bashkëpunim ndërshtetëror si dhe në fusha të tjera të interesit të përbashkët.

Një ditë më parë, Shefi i diplomacisë serbe Ivica Daçiq është takuar me Attalah dhe ata kanë folur për Kosovën, transmeton Koha.net.

Në kumtesën e MPJ të Serbisë që e transmeton FoNet, thuhet se Daçiq e ka falënderuar shefin e diplomacisë së Madagaskarit që vendi i tij s’e ka njohur ende Kosovën, e ka njoftuar për dialogun Beograd -Prishtinë dhe e ka lutur atë që Madagaskari ta mbajë këtë pozicion lidhur me Kosovën.

“Në ditën e parë të Samitit të Frankofonisë kam takuar 12 shtete të ndryshme, shumica e tyre vende jo njohëse dhe qëllimi kryesor ka qenë që ta bëj kërkesën zyrtare për njohje të Kosovës, si dhe t’u ofroj argumente të fuqishme se pse këto vende duhet ta njohin Republikën e Kosovës. Këto vende shtrihen në Afrikë, në Azi dhe në pjesë të tjera të botës dhe shpresoj shumë që në një të ardhme të afërt do të kemi lajme të mira sa i takon njohjes së Kosovës”, ka thënë Hoxhaj.

Ndërsa ministrja Atalla e ka falënderuar Hoxhajn për vizitën si dhe dorëzimin e kërkesës për njohje nga ana e Kosovës.

“Si ministre e Punëve të Jashtme e Madagaskarit, dhe si presidente e konferencës ministrore frankofone, së pari dëshiroj të falënderoj ministrin dhe delegacionin e Kosovës për ardhjen e tyre në Madagaskar, dhe para se gjithash për dorëzimin e kërkesës në mënyrë që pavarësia e Kosovës të njihet nga Madagaskari” ka thënë Atalla.

Në agjendën intensive të Samitit, Hoxhaj ka zhvilluar takime edhe me homologët dhe udhëheqësit e delegacioneve nga Burkina Faso, Benini, Luksemburgu, Gaboni dhe Comoros.

Paradite Hoxhaj ka takuar edhe Sekretaren e Përgjithshme të Frankofonisë, si dhe ministrat e jashtëm të Belgjikës, Xhibutit dhe Burundit.
 

comments powered by Disqus

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...