Mustafa: Të mos lejojmë abuzimin me paranë publike

23 Nëntor 2016 - 11:53      

Qeveria e Kosovës, në mbledhjen e mbajtur, ka marrë vendim që 28 Nëntori të jetë ditë pushimi. Kryeministri i vendit Isa Mustafa i cili e bërë këtë propozim para kabinetit qeveritar, tha se edhe pse kjo nuk është paraparë me ligjin për festat shtetërore, qytetarët duhet të pushojnë dhe ta shënojnë këtë ditë.

“Ditën e hënë e kemi festë kombëtare, që nuk është e paraparë si festë shtetërore me ligjin për festat shtetërore. Por është ditë e shënuar për ne dhe kisha me iu propozu si Qeveri që të marrim vendim që atë ditë të pushohet dhe t’i mundësojmë që qytetarët ta shënojnë këtë ditë”, tha ai..

Ndërkaq, duke folur për takimin e mbajtur të Këshillit Kombëtar kundër korrupsionit, Mustafa tha se duhet të punohet më shumë për mbylljen e mundësisë së korrupsionit dhe abuzimit me paranë publike.

“Ajo çka neve na mbetet është që të punojmë më shumë, në fushën e mbylljes së gjitha mundësive tek prokurimi publik, që të ketë qoftë hapësira korruptive, qoftë ato deformimet të këtij procesi dhe të keq shfrytëzimit të parasë publike. Unë e kam hap dhe më parë këtë dukuri në qeveri, që kontratat të orientohen në numër të kufizuar të firmave dhe dukuritë e tjera duhet ti tejkalojmë. Duhet të kemi kujdes në të gjitha ministritë, që të mos lejojmë. Është mirë që ne t’i bëjmë transparente të gjitha kontratat që i kemi lidh për opinionin dhe shumat e kontratave dhe firmat, me të cilat i kemi lidhur ato kontrata, në mënyrë që ato të jenë transparente. Të shohim nëse ka deformime a janë ato që janë nëpër ministri, apo bëhen në rrugë, duke përfshirë dhe organin shqyrtues të prokurimit. Sepse duhet në këtë rrafsh t’i shikojmë të gjitha relacionet për të mbyllur çdo mundësi që të abuzohet me paranë publike”, tha ai, raporton Kosovapress.

Ndërsa zëvendësministri i Jashtëm, Valon Murtezaj prezantoi para kabinetit qeveritar dokumentin lidhur me qëndrimet nacionale sa i përket takimit të parë që do të mbahet nga Këshilli për Stabilizim dhe Asociim në Bruksel me 25 nëntor.

Murtezaj tha se Qeveria është plotësisht e përkushtuar në zbatimin e suksesshëm të reformave, që kërkohen në kuadër të MSA-së. Ai tha se janë të vetëdijshëm që këto reforma do të jenë të vështira dhe do të marrin kohë dhe në intensifikimin e mëtejshëm të dialogut politik dhe bashkëpunimit të gjithëmbarshëm me BE në.

Qeveria e Kosovës, sipas tij, mbetet e përkushtuar në zbatimin e MSA së dhe do të ndërmarrë të gjitha reformat e nevojshme institucionale, për të siguruar rrugën e Kosovës drejtë BE-së.

“Qeveria e Republikës së Kosovës, e mirëpret takimin e parë të këshillit të Stabilizim Asociimit mes BE-së dhe Kosovës. Në te njëjtën kohë Republika e Kosovës, e njeh rëndësinë historike të këtij takimi të nivelit më të lartë, nën marrëveshjen e parë kontraktuale ndërmjet dy palëve. Qeveria e Kosovës e thekson edhe njëherë bindjen e fuqishme të popullit të Kosovës, të qytetarëve të saj se e ardhmja e tyre është në BE. Me marrëveshjen e stabilizim asociimit tani më e kemi një kornizë të qartë për përmbushjen e kritereve të përcaktuara nga Këshilli Evropian. Tani më është e qartë, ambicia e institucioneve të Republikës së Kosovës, që të kemi përfitimin e plotë nga shkëmbimet në kuadër të kësaj kornize, për të avancuar në procesin e aderimit dhe anëtarësimit në BE”, tha ai.

Ndryshe, qeveria në mbledhjen e mbajtur, ka miratuar propozim vendimin për ndryshimin dhe plotësimin e programit legjislativ të vitit 2016 të Qeverisë së Kosovës, Projektligjin për legalizimin e armëve dhe dorëzimin e armëve te vogla dhe të lehta, municionit dhe mjeteve eksplozive.

Qeveria po ashtu miratoi dhe Projektligjin për automjete, projekt rregulloren për organizim të brendshëm dhe sistematizimin e vendeve të punës në Ministrinë e Financave, propozim vendimin për bartjen e Agjencisë shtetërore të arkivave të Kosovës nga zyra e Kryeministrit, në ministrinë e Kulturës Rinisë dhe Sportit si dhe propozim vendimin për themelimin e Grupit për rishikimin funksional për sektorin e Sundimit të Ligjit në Kosovë. 

comments powered by Disqus

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...