
22 Nëntor 2016 - 12:48
Kështu u tha në lansimin e “Indeksit për mbrojtjen e fëmijëve”, ku Kosova renditet e katërta, nga nëntë shtete sa i përket mbrojtjes së fëmijëve.
Sipas rezultateve të Indeksit për Kosovën, vendi po ecën relativisht mirë, në sektorin e qeverisë dhe koordinimit të përpjekjeve të saj për mbrojtjen e fëmijëve. Ndërsa është e nevojshme të punohet më shumë në ndërtimin e kapaciteteve për ofrimin e shërbimeve, pasi që Kosova ne nivel legjislacioni qëndron shumë më mire se zbatimi i saj.
Kryeministri Isa Mustafa tha se mbrojtja e të drejtave të fëmijëve, është në qendër të prioriteteve të Qeverisë që ai drejton.
Ai tha se fëmijët e Kosovës kanë të drejtë të gëzojnë gamën e plotë të të drejtave të tyre të garantuara me Kushtetutë dhe nga Konventa Evropiane. Sipas tij legjislacioni pozitiv i Kosovës, është në përputhje me standardet ndërkombëtare, e që njëherëësh reflekton dhe zotimin e institucioneve të Kosovës, për realizimin e të drejtave të fëmijëve, karshi këtyre standardeve.
Mustafa më tej tha se duke pasur parasysh që 60 për qind e popullatës së Kosovës konsiderohet të jenë fëmijë dhe të rinj, Qeveria është e përkushtuar dhe po bën përpjekje në gjetjen e modaliteteve me të mira, që mundësojnë rritjen e investimeve financiare, në mënyrë që shërbimet që ofrohen për fëmijë të jenë të qëndrueshme.
“Ky indeks konsideroj se do të ndikojë në lehtësimin e planifikimit të veprimeve dhe politikave të institucioneve qeveritare dhe aktereve tjerë, për adresimin dhe tejkalimin e vështirësive me të cilat mund të ballafaqohemi. Mund të them se Qeveria ka ndërmarrë hapa konkret për vendosjen e fëmijëve në qendër të prioriteteve. Kabineti qeveritar në maj të këtij viti ka miratuar projektligjin për mbrojtjen e fëmijëve i cili ka për qëllim të mbrojtjes së fëmijëve, sigurimin e përgjegjësisë së prindërve, familjeve dhe shtetit dhe integrimin e tyre në sistemin e mbrojtjes. Ka siguruar një vështrim dhe kompletim mjaftë të gjere”, tha Mustafa, transmeton KP.
Ndërkaq Natalya Apostolova, shefe e zyrës së BE-në në Kosovë tha se mbrojtja e fëmijëve është objektivë kyçe e BE-së. Ndërsa tha se Kosova duhet të bëjë më shumë përmes politikave dhe alokimit të buxhetit adekuat, për mbrojtjen e fëmijëve.
“ Mbrojtja e të drejtave te fëmijëve është objektiva kyçe e BE-së. ...duhet të merren veprime konkrete sa i përket keqpërdorimit të fëmijëve, që të sigurojmë të drejtat e fëmijëve si qasja në shërbimet shëndetësore dhe edukative sa më të mira.. Ne kemi parë përmirësime në kornizën ligjore për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve në Kosovë, por mendojmë se duhet të bëhet më shumë përmes politikave dhe alokimit të buxhetit adekuat për mbrojtjen e fëmijëve”, tha ajo.
Ndërkaq ambasadorja e Gjermanisë në Kosovë, Angelika Viets tha se çdo herë kur dështohet të mbrohet një fëmijë, dështon edhe shoqëria.
Ambasadorja gjerman inkurajoi institucionet e Kosovës, që t’i ndërtojë kapacitetet e kërkuara, sa i përket mbrojtjes së të drejtave të fëmijëve.
“Edhe në Kosovë fëmijët janë ekspozuar ndëshkimeve fizike, keqpërdorimeve dhe dhunës edhe pse gjer më tani nuk kemi një fotografi të qartë për gjendjen reale. Në krahasim me shtetet tjera ku është implementuar ky Indeks, e shohim se Kosova është në mesin e kësaj tabele, që është mjaft inkurajuese. Por ende ka gjëra që Kosova duhet t’i përmirësojë sa i përket mbrojtjes më të mirë të fëmijëve. Në përgjithësi Kosova ka ligje shumë të mira dhe një koordinim mjaft solid mes institucioneve për mbrojtjen e fëmijëve, por ka mangësi të shumta në ofrimin e shërbimeve, kapaciteteve dhe llogaridhënieve”, tha Viets.
Shefi i zyrës së UNICEF-it në Kosovë James Mugaju, tha se investimi në fëmijë, është investim në të ardhmen e Kosovës. Por sfidë sipas tij mbetet implementimi i kornizës ligjore ekzistuese.
“Ne e dimë që korniza ligjore e Kosovës, në bashkëpunim me BE-në tregon se Kosova është një ndër vendet më të mira në këtë fushë. Por sfidë mbetet implementimi i kornizës ekzistuese ligjore. Por, demonstrimi dhe përkushtimi i politikave, që përkthehet në praktikë në ofrimin e shërbimeve, është sfidë të cilën e ka Kosova ka përpara. Duhet së bashku të diskutojmë se si politikat e tanishme t’i transmetojmë në politikat dhe praktikat për mbrojtjen e fëmijëve. Investimi në fëmijë është investimi në të ardhmen e Kosovës. Është gjëja e duhur që duhet bërë”, tha ai.
Ndryshe rekomandimet e dala nga Indeksi i Mbrojtjes së Fëmijëve, janë që të rishikohet korniza ligjore dhe që të shkurtohet periudha e paraburgimit në maksimum gjashtë muaj në rastin e fëmijëve.
Rekomandohet që Kosova të fillojë me trajnime dhe fushata vetëdijesimi, për t’i përkujtuar zyrtarët shtetëror dhe profesionistëve detyrën e tyre, për të raportuar situata të dhunës së ushtruar ndaj fëmijëve. Ndërkaq ndër fushat që ka dal me keq Kosova është sa i përket punës së fëmijëve në rrugë dhe trajtimit të fëmijëve me aftësi të kufizuara, ku Kosova renditet e teta nga nëntë shtete pjesëmarrëse.
Koalicioni i OJQ–ve për Mbrojtjen e Fëmijëve në Kosovë - KOMF, lansoi sot Indeksin e Mbrojtjes së Fëmijës, i cili nxori në pah se si Kosova performon në më shumë se 600 indikatorë, të përshtatura nga lista zyrtare e zbatimit të Konventës për të Drejtat e Fëmijës.
Këto janë disa nga rekomandimet kryesore të Indeksit janë:
• Adoptimi i standarteve financiare për të financuar në mënyrë të duhur shërbimet dhe për ti vënë në linjë me standartet e cilësisë. Pa standarte financiare të vendosura, është vështirë të sigurohet buxheti i qëndrueshëm dhe i mjaftueshëm për shërbime.
• Krijimi i mekanizmave të qëndrueshëm, të pavarur për monitorim dhe inspektim për kontrollin e cilësisë së ofrimit të shërbimeve private dhe publike dhe për administrimin e licensimit.
• Krijimi i planit për financim të qëndrueshëm dhe të drejtë të shërbimeve sociale në tërë Kosovën përmes krijimit të grantit specifik për shërbime sociale.
• Mbledhja e të dhënave për të përcaktuar dominimin e çështjeve të mbrojtjes së fëmijëve në Kosovë.
17 Shkurt 2017 - 00:15
16 Shkurt 2017 - 23:49
16 Shkurt 2017 - 23:41
16 Shkurt 2017 - 23:18
16 Shkurt 2017 - 23:17
Ec me kohën...