Fillon rishikimi i Kodit Penal dhe i Kodit të Procedurës Penale

22 Nëntor 2016 - 11:02      

Prishtinë, 22 nëntor – Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka marrë pjesë në takimin e Grupit Punues, i cili është themeluar për të rishikuar dhe amendamentuar Kodin Penal dhe Kodin e Procedurës Penale të Republikës së Kosovës.

Përmes një komunikate për media bëhet e ditur se para anëtarëve të Grupit Punues, Thaçi ka theksuar se qysh në fillim të marrjes së mandatit si president i Republikës së Kosovës, ka kërkuar ndryshim dhe plotësimin e Kodit Penal dhe Kodit të Procedurës Penale.

“Këtë gjë e kam kërkuar në funksion të rishikimit të legjislacionit të drejtësisë penale me qëllim të plotësimit të infrastrukturës ligjore në fushën e drejtësisë penale dhe eliminimin e zbrazëtive dhe mangësive ligjore në këtë fushë”, ka shtuar ai, transmeton Koha.net.

Presidenti ka thënë se të gjithë jemi dëshmitarë të ndryshimeve dhe rreziqeve globale me të cilat po përballet e gjithë bota ndaj të cilave Kosova nuk është imune.

Sipas tij, rreziqe të tilla të përmasave globale, siç janë terrorizmi dhe krimi i organizuar, kërkojnë infrastrukturë ligjore më të fuqishme në funksion të lehtësimit të punës së institucioneve zbatuese që t’i luftojnë këto dukuri.

“Si president i Republikës së Kosovës, e kam potencuar disa herë prioritetin që ka Kosova në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit”, ka thënë ai.

Presidenti ka inkurajuar Grupin Punues që t’i kushtojë vëmendje të veçantë dispozitave të Kodit Penal dhe Kodit të Procedurës Penale që kanë të bëjnë me veprat penale të krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Me këtë rast, ai ka bërë thirrje që të bëhen ndryshimet e nevojshme që institucionet zbatuese të kenë kompetenca më të fuqishme për të goditur krimin, me qëllim të fuqizimit të sundimit të ligjit në Republikën e Kosovës.

“Dua të ritheksoj edhe njëherë përkushtimin tim si president i vendit për të mbështetur çdo iniciativë që vjen nga institucionet e Republikës së Kosovës për të fuqizuar kornizën ligjore, për luftimin e krimit në përgjithësi, por krimit të organizuar dhe korrupsionit në veçanti”, ka thënë ai.

Thaçi ka shprehur besimin se iniciativa të tilla si kjo e ndryshim plotësimit të legjislacionit penal, tregojnë se Kosova është shumë serioze dhe e vendosur për të luftuar krimin dhe për të fuqizuar sundimin e ligjit.

“Si president i vendit, kërkoj që të punohet drejt fuqizimit të kodeve moderne që respektojnë të drejtat e njeriut dhe që i përshtaten sistemit tonë gjyqësor duke adresuar specifikat e vendit tonë”, ka thënë Thaçi.

Qysh në fillim të mandatit si president i Republikës së Kosovës, Thaçi ka kërkuar rishikim të Kodit Penal dhe Kodit të Procedurës Penale

comments powered by Disqus

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...