Qytetarët i shtojnë ankesat rreth ndërprerjes dhe çmimit të energjisë

21 Nëntor 2016 - 17:30      

Ndërprerjet e energjisë, çmimi i lartë dhe shërbimet jo të mira potencohen nga disa qytetarë të anketuar nga Radio Evropa e Lirë si probleme të vazhdueshme në fushën e furnizimit me energji elektrike.

Drita Ibrahimi, një qytetare nga Prishtina, tregon se përveç ndërprerjeve të energjisë, edhe çmimet konsiderohen të larta krahasuar me standardin jetësor.

“Çmimi i energjisë është i shtrenjtë, aspak nuk është i lirë krahasuar me pagat që i marrim, e të cilat janë të ulëta. Sikur t'i kishim pasur rrogat si në Perëndim, çmimi aktual i energjisë do të ishte në rregull. Në lagjen ku jetoj unë me qira ka pasur ndërprerje, por jo shumë sikur në lagjet e tjera. Derisa e paguajmë rregullisht duhet të ketë energji dhe ajo duhet të jetë më e lirë”, thotë Ibrahimi.

Ngjashëm shprehet edhe Halime Halimi nga qyteti i Lipjanit.

“Shtrenjtë është çmimi i energjisë. Kemi pagur 40 euro për një muaj. Mendoj që duhet të lirohet”, thotë ajo.

Në Kosovë zbatohen disa struktura të tarifave me pakicë të energjisë elektrike, me çmime të ndryshme, ndërsa ndahen në sezonin veror dhe dimëror.

Çmimet e energjisë elektrike në Kosovë sillen nga mbi 2,50 centë deri në rreth 14 centë për një kilovat në orë.

Këto tarifa të energjisë elektrike në Kosovë, sipas vendimit të zyrës së Rregullatorit për Energji Elektrike, nuk ndryshojnë deri në prill të vitit 2017.

Për ndërprerjet e kohëpaskohshme të energjisë elektrike, flasin edhe zyrtarë të Distribucionit për Furnizim me Energji Elektrike (KEDS).

Zëdhënësi i KEDS-it, Viktor Buzhala, thotë për Radion Evropa e Lirë se planifikojnë furnizim pandërprerë me energji elektrike për qytetarët e Kosovës.

Ai tregon se aktualisht janë në prodhim katër blloqe, të cilat prodhojnë diku rreth 600 megavat energji elektrike, derisa pjesa tjetër importohet.

“Gjendja me furnizim me energji elektrike është në bazë të planifikimeve... nuk ka ndërprerje apo reduktim si pasojë e mungesës së energjisë elektrike, mirëpo dihet që jemi në kohën e revizionimit të rrjetit 10 kilovatësh dhe ka ndërprerje të planifikuara dhe këto ndërprerje të energjisë ndodhin deri në katër orë në ato zona ku janë të planifikuara, ku për këtë konsumatorët njoftohen me kohë”, thekson Buzhala.

Pasiguria në furnizimin e energjisë vazhdon të jetë një nga kufizimet kyçe për zhvillimin e ekonomisë në Kosovë.

Në hulumtimet e shumta - të bëra nga organizatat ekonomike që mbrojnë interesat e bizneseve në Kosovë - si problem kryesor në të bërit biznes është theksuar furnizimi jo stabil me energji elektrike dhe çmimet e larta të energjisë.

Kryetari i Aleancës Kosovare të Biznesit, Agim Shahin,i në një prononcim për Radio Evropa e Lirë thotë se Kosova duhet të investojë në sistemin energjetik, pasi që bizneset kanë nevojë për stabilitet të energjisë elektrike.

“Ende bizneset në Kosovë nuk kanë energji të mjaftueshme edhe aty ku bizneset e kanë të garantuar energjinë elektrike 24 orë pandërprerë, edhe aty ka ndërprerje. Përveç kësaj, bizneset në Kosovë paguajnë koston më të lartë në regjion për energji elektrike. Çmimet tani në sezonin dimëror janë të shtrenjta, trefish më të larta sesa në sezonin veror”, thotë Shahini.

Pa ndërtimin e kapaciteteve të reja energjetike, siç është realizimi i projektit të shumëpërfolur Termocentrali “Kosova e Re” dhe energjisë alternative, Kosova është thënë se nuk do të mund ta eliminojë problemin me energji elektrike./REL

comments powered by Disqus

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...