21 Nëntor 2016 - 12:54
Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arsim Bajrami, ka marrë pjesë ngjarjen lansuese të projektit të ri “Mbështetje të edukimit në gjuhën Serbe në Kosovë: Procesi i verifikimit të diplomave të UMV, hulumtimi i situatës aktuale, zhvillimi i udhërrëfyesit të MASHT dhe trajnimi direkt i UMV dhe stafit mësimor të tij”, me ç’rast ka bërë ndarjen simbolike të 131 diplomave të verifikuara (certifikuara) nga MAShT për studentët e Universitetit të Mitrovicës Veriore, me të cilat studentët e komunitetit serb do të jenë konkurrentë të barabartë në tregun e punës në Kosovë dhe jashtë saj.
Procesi i verifikimit është kryer nga një komision i përzgjedhur kohë më parë nga Qeveria e Kosovës, ndërsa është financuar nga Bashkimi Evropian dhe bashkëfinancuar nga Ambasada e Norvegjisë në Prishtinë.
Ministri Bajrami, me këtë rast, tha se kjo ngjarje tregon përkushtimin tonë për të punuar në promovimin e qasjes afirmative dhe gjithpërfshirjes së të gjitha komuniteteve në tregun e punës dhe sistemin arsimor.
“Qeveria e Kosovës ka qenë shumë e përkushtuar dhe ka themeluar një Komision të nivelit të lartë, i cili ka filluar me procesin e certifikimit të diplomave. Ministria e Arsimit ka ofruar mbështetjen e nevojshme dhe partnerët tanë, përfshirë edhe ECMI-në janë angazhuar për të stimuluar të rinjtë që të aplikojnë për certifikim”, tha Bajrami, ndërsa theksoi se nga 170 aplikacione, 131 diploma tashmë janë certifikuar.
Përfaqësuesi i Komisionit Evropian, Thomas Gnocchi, tha se qasja e barabartë në sistemin e edukimit është prioritet në agjendën evropiane dhe në strategjitë e Qeverisë së Kosovës, ndërsa theksoi se Zyra e Bashkimit Evropian mbështet procesin e përfshirjes së studentëve serbë në institucionet e Kosovës.
Ambasadori i Norvegjisë, H.E. Per Stand Sjaastad, tha se ekziston një përkushtim i madh i Qeverisë së Kosovës për të ofruar arsim kualitativ për të gjitha komunitetet dhe për të ofruar rekrutim në bazë të meritave dhe kompetencave të kandidatëve.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
17 Shkurt 2017 - 00:15
16 Shkurt 2017 - 23:49
16 Shkurt 2017 - 23:41
16 Shkurt 2017 - 23:18
16 Shkurt 2017 - 23:17
Ec me kohën...