I jepet lamtumira e fundit Sevdije Ahmetit

20 Nëntor 2016 - 18:43      

I është dhënë lamtumira e fundit, aktivistes së njohur Sevdije Ahmeti.

Ajo është varrosur në varrezat e qytetit në Prishtinë, me nderime të larta nga shumë qytetarë, familjar e miq të tashmë të ndjerës, bashkëpunëtorë të saj ndër vite e drejtues institucionesh. 

Para të pranishmëve foli bashkëpunëtorja e saj, Igballe Rogova, drejtuese e Rrjetit të Grupeve të Grave të Kosovës. Ajo përmendi meritat e saj për të drejtat e njeriut në përgjithësi dhe të grave në veçanti, për kontributin e saj në identifikimin e të mbijetuarave të dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë, e kontribute të tjera të Ahmetit gjatë jetës së saj.

E pranishme ishte edhe ish presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga. Lajm të hidhur, vdekjen e Ahmetit, e ka cilësuar edhe presidenti aktual, Hashim Thaçi.

Ahmeti ndërroi jetë të shtunën. Ajo ishte aktiviste shumëvjeçare në kuadër të lëvizjes së Kosovës për liri dhe demokraci, transmeton koha.net.

Sevdije Ahmeti ka qenë ndër inicuesit e aktivizmimit të lëvizjes për të drejtat e grave dhe demokraci në Kosovë dhe në rajon. Ajo ishte bashkëthemeluese e Qendrës për Mbrojtje të Gruas dhe Fëmijës, më 1993, që ishte ndër organizatat e para joqeveritare në Kosovë të cilat aktivizmin e vet e kthyen edhe në protesta në mbrojtje të të drejtave të njeriut dhe të drejrtave të grave, si dhe për paqe dhe kundër represionit shtetëror serb ndaj shqiptarëve në Kosovë.

Zonja Ahmeti, po ashtu ka kontribuuar në dokumentimin e dhunimeve gjatë kohës së luftës, duke bashkëpunuar ngushtë edhe me Tribunalin e Hagës, ndërsa për aktivizmin e vet ka marrë disa njohje e dekorata ndërkombëtare, përfshirë Çmimet e organizatave Human Rights Watch dhe Amnesty International.

Sevdije Ahmeti ka qenë edhe ligjëruese ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, së fundi edhe në Instituin Oak, në Maine të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ndërsa lidhur me punën dhe të drejtat e shtypura në Kosovë ka shkruar edhe artikuj, analize si dhe libra, përfshirë librin “Ditari i një gruaje të kosovëës 1998-1999”, botuar në Paris të Francës.

 

comments powered by Disqus

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...