Vetëvendosje thotë se hetimi i pavarur bëhet me vendim të familjes Dehari, e jo Qeverisë

20 Nëntor 2016 - 16:49      

Ministria e Drejtësisë sot i ka drejtuar një kërkesë Ambasadës Britanike në lidhje me hetimin e pavarur të vdekjes së Astrit Deharit. Por ende nuk kanë marrë një përgjigje nga kjo ambasadë.

Në anën tjetër portali Koha.net ka folur me Xhelal Sveçlen e Vetëvendosjes, që është marrë nga fillimi me këtë çështje, rreth këtij veprimi të Ministrisë së Drejtësisë për hetim të pavarur, gjë që është lakuar disa herë në kërkesat e shoqërisë civile dhe Vetëvendosjes.

Sveçla ka thënë se Ministria e Drejtësisë nuk mund as te udhëheqë e as të përzgjedhë hetimin e pavarur për vdekjen e Astrit Deharit, transmeton Koha.net. Sipas Sveçlës, ata që nuk japin dorëheqje e as nuk shkarkojnë askënd nuk kanë legjitimitet të vendosin.

“Ministria e Drejtësisë nuk mundet as ta udhëheqë dhe as të bëjë përzgjedhje në hetimin e pavarur të vdekjes së Astritit. Shteti në këtë rast nuk është ndërmjetësues neutral por palë përgjegjëse për vdekjen e tij, përfshirë këtu sidomos Ministrinë e Drejtësisë dhe të Punëve të Brendshme. Ata që s'japin dorëheqje dhe as nuk shkarkojnë askënd nuk mund të kenë legjitimitet as të flasin se lëre më të vendosin. Po ta dëshironin një hetim të pavarur këtë do ta bënin përmes hetuesisë së policisë që është organ shtetëror. Qartazi këtë nuk e deshën dhe nuk e bënë. Dhe tash duan ta hetojnë vetveten!?”, ka thënë Sveçla.

Megjithatë, Xhelal Sveçla ka thënë se po presin vlerësimin e ekspertëve që i kishte deleguar familja në obduksion, ndërsa për hetim të pavarur në të ardhmen, ai ka thënë se duhet të bëhet me kërkesë dhe vendim të familjes, e jo Qeverisë.

“Ne po e presim vlerësimin e dy ekspertëve të pavarur të mjekësisë ligjore të angazhuar nga familja e të cilët ishin prezent në obduksion, Dr.Besim Ymaj dhe Dr.Besim Latifaj. Hetimi i pavarur në të ardhmen duhet të bëhet me kërkesën dhe vendimin e familjes Dehari e kurrsesi të kësaj Qeverie që ka kapur shtetin”, ka përfunduar Sveçla.

comments powered by Disqus

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...