Gecaj tregon për takimet me Listën Serbe dhe se kur do të themelohet Asociacioni

20 Nëntor 2016 - 15:06      

Fjalëve të ministrave serbë në Qeverinë e Kosovës, Ljubomir Mariq dhe Dalibor Jevtiq se nuk do të kthehen në institucione të Kosovës pa u dekretuar themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe, i është përgjigjur zëvendësi i Mariqit dhe këshilltari i kryeministrit Mustafa për komunitete, Bajram Gecaj.

Gecaj në komunikim për portalin Koha.net ka sqaruar situatën brenda Qeverisë së Kosovës dhe Listës Serbe.

Ai ka thënë se nuk ka pasur asnjë indikacion të shkruar drejt Qeverisë se Lista Serbe ka ngrirë funksionin në institucione.

“Ne ende nuk kemi asnjë indikacion të shkruar, drejtuar Qeverisë ose Kuvendit, me të cilin mund të konkludojmë se Lista ka lëshuar apo ngrirë funksionin në institucione”, ka thënë Gecaj për Koha.net. Megjithatë Lista Serbe ka javë të tëra që nuk merr pjesë në punime të Kuvendit e as në Qeveri, si kundërpërgjigje ndaj miratimit të Ligjit për Trepçën, për të cilin dështuan edhe ta procedonin në Gjykatë Kushtetuese.

Bajram Gecaj, që është njeri i kryeministrit Mustafa kur ka të bëjë me çështjen e komuniteteve, ka thënë se takohet me zyrtarë të Listës Serbe, por ata ende nuk kanë pranuar të takohen me Mustafën.

“Si këshilltar i kryeministrit për komunitete, unë kohë pas kohe takohem me zyrtarë të Listës. I kemi ftuar në takim me kryeministrin dhe ata na kanë thënë se do ta bëjnë këtë posa të jenë të gatshëm, pas konsultimeve të brendshme. Ne nuk ua kemi vërë ‘lakun në fyt’ për këtë, por po presim”, ka treguar Gecaj.

Kurse themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, për Gecajn do të bëhet atëherë kur janë rrethanat e përshtatshme, pasi këtë asociacion e kanë obligim ligjor.

“Megjithatë, ky asociacion nuk do të materializohet nëse nuk kemi paraprakisht apo në të njëjtën kohë shuarjen e te gjitha strukturave paralele. Për të punuar në statutin e asociacionit duhet të mbisundojnë rrethana deri diku normale dhe komunikim të ndërsjellët, diçka që po na mungon tani. Prandaj, puna në statut do të fillojë kur të krijohen këto kushte”, ka përfunduar Gecaj.

comments powered by Disqus

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...