Greqi dënon shoferët shqiptarë për abetare, shkel aktet ndërkombëtare

20 Nëntor 2016 - 10:57      

Dënimin e dy shoferëve shqiptarët nga gjykata greke e Janinës, ministria e Punëve të Jashtme e sheh në shkelje të rregullave e praktikave ndërkombëtare.

Ky ka qenë reagimi zyrtar i MPJ-së, i cili u bë publik vetëm 24 orë pas shpalljes së vendimit të dënimit me 30 muaj burg të dy shoferëve të MPJ-së, Altin Tafa dhe Agim Asllani, të cilët nuk kanë qenë të pranishëm në seancën gjyqësore. Arsyeja e këtij dënimi është se ato po transportonin mbi 1512 abetare për fëmijët shqiptarë në Greqi.

Por policia dhe dogana greke i ka ndaluar në pikën kufitare në Kakavijë, pasi sipas tyre, librat shkollorë përmbanin harta të Çamërisë dhe të “Shqipërisë së Madhe”.
“Që prej datës 13 nëntor, pas njoftimit për ndalimin e dy shoferëve të MPJ në pikën e kalimit kufitar Kakavijë, të cilët transportonin një ngarkesë me libra për fëmijët shqiptar që jetojnë në Greqi, Ministri i Punëve të Jashtme Ditmir Bushati ka qenë në kontakt me Ministrin e Punëve të Jashtme të Greqisë Nikos Kotzias, duke kërkuar që kjo çështje të trajtohet në bazë të akteve të së drejtës ndërkombëtare dhe praktikave diplomatike në fuqi”, thuhet në njoftimin e MPJ-së.

Në të njëjtën kohë, MPJ-ja bën të ditur se ka ofruar asistencë konsullore dhe juridike për punonjësit e ndaluar duke mundësuar lirimin e tyre. “MPJ shpreh keqardhjen që procedura e ndjekur nga autoritetet greke bie në kundërshtim të plotë me rregullat e së drejtës ndërkombëtare, duke cenuar njëkohësisht klimën e miqësisë dhe të besimit mes dy shteteve tona.
MPJ do të vijojë të ndjekë në rrugë diplomatike trajtimin e mëtejshëm të kësaj çështje duke uruar në të njëjtën kohë për një reflektim të shpejtë të palës greke në lidhje me këtë ngjarje”, thekson deklarata. Dy ditë më parë në gjykatë është paraqitur konsulli i Shqipërisë, Sofokli Vasili, i cili ka kërkuar nga gjykatësi që të përfaqësonte shtetin shqiptar dhe dy të akuzuarit.

Por kjo kërkesë nuk është pranuar, ndërsa i është dhënë e drejta për të deponuar si dëshmitar dhe i është sqaruar se pala shqiptare mund të merrte edhe një avokat mbrojtës.

Gjyqi Gjatë seancës shefja e Doganës së Kakavijës ka thënë se automjeti me të cilin udhëtonin dy shoferët e MPJ-së nuk kishte targa diplomatike, ndaj dhe u krye kontroll i zakonshëm.

“Kur doganierët panë arkat me libra konsideruan se kishin të bënin me mallra tregtare, ndaj dhe kërkuan dokumentet përkatëse. Por dy personat në fjalë treguan një vërtetim nga MPJ, sipas të cilit ishin dy nëpunës me pasaporta diplomatike dhe po transportonin material diplomatik”, ka treguar drejtoresha e Doganës.

Sipas saj, pasi panë një hartë të Shqipërisë së Madhe tek një prej librave që ndodheshin në një arkë të paambalazhuar, ajo njoftoi rajonin e policisë dhe pas kontrollit u konstatua se dy personat nuk kishin pasaporta diplomatike, por pasaporta shërbimi. Gjykata e Janinës ka dënuar në mungesë me 30 muaj burg me kusht për 3 vjet dy shoferët e Ministrisë së Jashtme të Shqipërisë.

Në ngarkesën me tekste shkollore që Ministria e Punëve të Jashtme dërgoi në Greqi për shkollat e fëmijëve emigrantë shqiptarë ndodheshin gjithsej 1512 libra, si abetare, gjuhë shqipe, histori dhe gjeografi. Në mesin e tyre, sipas mediave vendase, ndodheshin rreth 300 tekste, botime të viteve të shkuara, që nuk janë miratuar nga Ministria e Arsimit për të qenë pjesë e programit zyrtar në shkollat shqiptare.

Kështu këta libra të mbetur stoqe janë të ndaluara për t’u futur edhe në programet mësimore jashtë Shqipërisë. Këta libra veç hartës së Shqipërisë së sotme kanë përmbajtjen e hartës së trojeve ku kanë banuar dhe banojnë shqiptarë, material që është konsideruar provokativ dhe është bërë shkak që dy shoferët të akuzohen, sipas nenit 141 të Kodit Penal grek për futjen e materialeve propaganduese që mund të dëmtojnë marrëdhëniet mes dy vendeve.

comments powered by Disqus

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...