Kosova e Shqipëria e kanë obligim të ruajnë identitetin e diasporës

18 Nëntor 2016 - 20:36      

Në Pallatin e Brigadave në Tiranë ka nisur ceremonia e pritjes nga kryeministri, Edi Rama në kuadër të Samitit të Diasporës, i cili do të mbahet për tre ditë me radhë (18-20 nëntor) në Tiranë.

I ftuar në këtë ngjarje është edhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi. Ai tha se është obligim i të shteteve që të kontribuojmë për ruajtjen e identitetit të diasporës.

Duke vënë në dukje se diaspora ka nevojë për riorganizim, Thaçi nënvizoi se pa të, nuk do kishim të drejta të barabarta në Maqedoni. Sipas tij, diaspora është edhe burim i stabilitetit ekonomik.

Presidenti Thaçi, shprehu besimin që vitin e ardhshëm, në bashkëpunim mes dy qeverive, të Kosovës e të Shqipërisë, samiti i ardhshëm i Diasporës të mbahet në Prishtinë.

Ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati në çelje të pritjes tha se sot nis një kapitull i ri midis Shqipërisë e shqiptarëve.

“Kemi fshirë distancat që na ndajnë nga njëri tjetri”, tha ai.

Bushati tha se roli i shqiptarëve në diasporë në SHBA e Evropë, ka qenë i pazëvendësueshëm.

“Ju përfaqësoni sot zërin e më shumë se 1.5 milionë shqiptarëve”.

Në këtë samit marrin pjesë personalitete të politikë shqiptare, por edhe diplomatë.

Ndërkohë, ministri i Diasporës i Kosovës, Valon Murati, ka shrkuar në profilin e tij në Facebook, se pret që Samiti i Parë i Diasporës Shqiptare nën patronatin e kryeministrit të Republikës së Shqipërisë dhe me bashkorganizim edhe të Ministrisë së Diasporës së Republikës së Kosovës, po e fut këtë çështje “në rrugë të mbarë për ta shndërruar këtë samit në një mekanizëm tradicional të konsultimit me diasporën në funksion të ndërtimit të një raporti intensiv në mes të shteteve tona dhe diasporës shqiptare dhe gjetjes së rrugëve për ta shndërruar këtë diasporë në partner të zhvillimit të vendeve tona”.

Për herë të parë në Shqipëri po mbahet Samiti i Diasporës. Rreth 600 shqiptarë të cilët përfaqësojnë diasporën marrin pjesë këtë fundjavë në këtë event. Samiti i Diasporës është një nismë e kryeministrit të vendit, Edi Rama për të vendosur ura të qëndrueshme bashkëpunimi me shqiptarët që jetojnë dhe punojnë jashtë vendit.

Si një vend me emigracion të zhvilluar prej më shumë se një shekulli, Shqipëria ka një diasporë të gjerë në Evropë dhe SHBA. Në radhët e diasporës, përveç intelektualëve, ka edhe shembuj të shumtë të sipërmarrësve të suksesshëm jashtë vendi.

Ura kryesore ekonomike që ka lidhur Shqipërinë me diasporën kanë qenë dërgesat, që ende sot janë një burim i rëndësishëm për ekonominë shqiptare. Remitancat janë të lidhura kryesisht me emigracionin e pas viteve ‘90. Nga një rekord prej 952 milionë eurosh në vitin 2007, remitancat vitin e kaluar ishin 598 milionë euro.

comments powered by Disqus

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...