Shteti thotë se Astrit Dehari u vetëvra, Vetëvendosje s’i beson [Raport i KTV-së]

18 Nëntor 2016 - 19:06      

Raporti i autopsisë nga Instituti i Mjekësisë Ligjore dhe hetimet nga Prokuroria Themelore e Prizrenit, kanë nxjerrë përfundimin se aktivisti i Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Dehari, ka bërë vetëvrasje.

13 ditë pasi ai vdiq brenda qelisë, kryeprokurori i Prokurorisë në Prizren, Sylë Hoxha doli në konferencë shtypi dhe tha se vetëvrasja ka ndodhur nga asfiksia mekanike, e vetë-shkaktuar.

Hoxha hodhi poshtë edhe dilemat se në xhirimin e kamerës së brendshme të burgut, ka pasur ndërhyrje.

Nga këto të dhëna, sipas Hoxhës, është vërtetuar edhe se Astrit Dehari nuk ka pasur asnjë lloj përleshje me ndokënd.

Midis orës 14 dhe 15 të ditës kur vdiq Dehari, kryeprokurori tha se s’është vërtetuar ndonjë lëvizje nga jashtë, apo mësymje e dhomës së të ndjerit.

Syla përmendi edhe faktin se dhoma ku ka qenë në paraburgim Dehari, ndodhej në katin e dytë, me dritare tetë metra lartësi dhe grila të hekurta nga jashtë, duke theksuar se të gjitha mundësitë për ndërhyrje nga jashtë janë të pasakta.

Në anën tjetër, Lëvizja Vetëvendosje, përmes një komunikate për media ka reaguar pas publikimit të raportit ta autopsisë për vdekjen e aktivistit të saj, Astrit Dehari.

“Sot, avokati i familjes, z. Tomë Gashi, e ka marrë Raportin e Autopsisë. Aty konfirmohet se Astrit Dehari ka vdekur nga asfiksia mekanike, nga bllokimi i rrugëve të sipërme të frymëmarrjes nga mjeti i fortë. Kryeprokurori z. Sylë Hoxha doli në konferencë shtypi me konstatime ende pa u bërë e pa u kryer hetimet”, thuhet në njoftimin e VV-së.

Sipas kësaj komunikate, ekspertët e mjekësisë ligjore që i ka angazhuar familja, Dr.Besim Ymaj dhe Dr.Besim Latifaj, kanë qenë të pranishëm gjatë obduksionit, por nuk janë ftuar për të thënë fjalën e tyre dhe nuk u janë dhënë materialet bazë e provat, madje as fotografitë me ngjyra.

“Në këtë Raport nuk shpjegohen lidhjet shkencore e logjike midis konstatimeve të shkakut të vdekjes (asfiksisë) dhe shkaktarit të vdekjes (dëmtime të vetëshkaktuara ‘hezituese’). Rrjedhimisht, raporti është dhe konkluzioni i tij mbi shkaktarin e vdekjes është krejt i pabesueshëm”, thuhet në komunikatën e Vetëvendosjes. “Do të nevojiten disa ditë që Dr.Besim Ymaj e Dr.Besim Latifaj ta analizojnë këtë Raport të Autopsisë dhe ta thonë mendimin e tyre, bazuar edhe në shënimet e tyre të vëzhgimit të obduksionit”, thuhet më tej aty.


Shteti thotë se Astrit Dehari u vetëvra... by kohanet

comments powered by Disqus

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...