Përfundon mbledhja e Kryesisë së Kuvendit, asgjë për çështjen Dehari

17 Nëntor 2016 - 22:25      

Sonte u mbajt një mbledhje e Kryesisë së Kuvendit të Kosovës, ku u vendos se Kuvendi mblidhet në seancë plenare më 30 nëntor, në të cilën do të shqyrtojë disa projektligje, raporte vjetore, rekomandime dhe propozim-vendime.

Pas pikave të rregullta, kohës për deklarime jashtë rendit të ditës dhe pyetjeve parlamentare, në seancën e 30 nëntorit Kuvendi do të shqyrtojë për herë të parë shtatë projektligje: Projektligjin për ratifikimin e Marrëveshjes financiare për IPA 2015 ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian, Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Kodit të Procedurës penale, Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për procedurën përmbarimore, Projektligjin për kontrollin e brendshëm të financave publike, Projektligjin për Inspektoratin Shëndetësor, Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për lirinë fetare në Kosovë, si dhe Projektligjin për tregtinë me produkte të naftës dhe karburante të ripërtërishme në Kosovë, transmeton Koha.net.

Nëse kalon procedurat e parapara parlamentare, ndërkaq, në këtë seancë do të shqyrtohet edhe Projektligji për Obiliqin.

Kuvendi do të vazhdojë punën me shqyrtimin e dytë të dy projektligjeve: Projektligjit për performancën energjetike në ndërtesa dhe Projektligjit për akreditim. Më pas, deputetët do ta shqyrtojnë raportin vjetor të Auditimit të Zyrës Kombëtare të Auditimit, si dhe raportin vjetor financiar të Zyrës së Auditorit të Përgjithshëm, për vitin 2015.

Po ashtu, do të shqyrtohet edhe Rekomandimi i Komisionit për Buxhet dhe Financa lidhur me kërkesën e Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës për miratimin e taksave vjetore për vitin 2017, si dhe dy propozim-vendime: propozim-vendimi i Komisionit për Buxhet dhe Financa për caktimin e pagës së kryesuesit dhe anëtarëve të Bordit të Drejtorëve, të kryesuesit dhe anëtarëve të Komisionit të Auditimit, të Operatorit të Sistemit, Transmisionit dhe Tregut-KOSTT sh.a., si dhe për caktimin e kompensimeve për kryetarin, nënkryetarët dhe anëtarët e Këshillit për Trashëgimi Kulturore. Në fund, pritet shqyrtimi i rekomandimit të Komisionit ad-hoc për zgjedhjen e dy anëtarëve të Bordit të Radio Televizionit të Kosovës.

Në mbledhjen e sotme, Kryesia shqyrtoi nismën legjislative të Projektligjit për plotësimin e Ligjit nr. 04/L-033 për dhomën e posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës për çështjet në lidhje me Agjencinë Kosovare të Privatizimit, e hartuar nga Komisioni për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti dhe Industri, si dhe nismën legjislative të Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 03/L-163 për Minierat dhe Mineralet, i ndryshuar dhe plotësuar me Ligjin nr. 04/L-158, hartuar nga deputeti Shaip Muja, i mbështetur edhe nga 5 deputetë të tjerë, të cilat iu dërguan qeverisë për mendim.

U miratua, gjithashtu, edhe rekomandimi i Komisionit për Buxhet dhe Financa lidhur me kërkesat buxhetore të Kuvendit të Kosovës për vitin 2017-2019 në bazë të Qarkores së dytë buxhetore të Ministrisë së Financave 2017/02.

comments powered by Disqus

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...