Mustafa thotë ta lajmëroni nëse dikush përdor emrin e tij për favore

17 Nëntor 2016 - 19:55      

Kryeministri i vendit, Isa Mustafa ka shkruar në lidhje me raportin e Transparency International nga KDI për korrupsion.

Ai ka thënë se Kosova po qëndron më mirë se rajoni, kurse për këtë shton se nuk po përmendet sepse interesi qëndron te fondet nga donatorët e jashtëm, transmeton Koha.net.

Mustafa ka shkuar edhe më larg, duke kërkuar që të lajmërohet nëse në ndonjë rast përmendet emri i tij për favore.

Lexojeni të plotë postimin e kryeministrit Mustafa:

Dje u publikua raporti i fundit i Transparency International nga KDI. Ky raport duhet të na shërbejë për të përmirësuar fushat e nevojshme dhe për të forcuar luftën kundër korrupsionit, por po ashtu edhe që ta shohim gjendjen faktike në terren rreth kësaj problematike. E kuptoj se ngjarje të shumta që kanë ndodhur në këto 17 vjet pas luftës, kanë ndikuar në perceptimin e qytetarëve për korrupsionin në shoqërinë tonë.

Në perceptim të qytetarëve, korrupsioni konsiderohet se është problem kryesor për vendin tonë dhe se institucionet nuk po bëjnë sa duhet për të luftuar këtë dukuri.

Në anën e ndritshme, Kosova ka gjendjen më të mirë nga të gjitha vendet e rajonit sa i përket kushtëzimit të qytetarëve me korrupsion për shërbime. Jemi më mirë se 6 vende të BE-së; baras me Greqinë dhe Kroacinë e më mirë se po thuaj të gjitha vendet e Evropës Qendrore e Juglindore. Me rajon, larg në gjendje më të mirë!

Nganjëherë fitohet përshtypja sikur nuk kemi guxim të shohim se vendi ynë ka edhe anët e mira. Sikur të prezantosh diçka të tillë nuk është lajm apo nuk fiton fonde nga donatorët e jashtëm, sepse mbetesh pa një kauzë të rëndësishme për fonde. Me gojën plot korrupsion ne po e dëmtojmë imazhin tonë dhe po i frikësojmë investitorët. Korrupsionin do ta mundim nëse e luftojmë bashkë.

Do ta mundim nëse e lajmërojmë. Lajmëromëni edhe mua, nëse dikush thirret në emrin tim për të fituar materialisht, qoftë si kryeministër qoftë si kryetar i LDK-së.

Në këto dy vjet Qeverisje, kriter kryesor e kemi pasur qeverisjen e pastër. Kemi ndërmarrë shumë hapa që do t’i diskutoj edhe nesër në Këshillin Kombëtar Kundër Korrupsionit.

Dallimin më të madh në Evropë në mes të perceptimit dhe realitetit, në këtë raport e gjejmë në Kosovë. Sado që të jetë korrupsioni prezent, duhet ta luftojmë. Por, lufta kundër korrupsionit zhvillohet bashkërisht, me raportim dhe denoncim.

Në Qeveri e kam shtruar dukurinë e dhënies së tenderëve publik kryesisht një numri të kufizuar të kompanive private. Kam kërkuar, po ashtu, që të eliminohen monopolet, me licenca dhe të drejta tjera të cilat për shumë vite gëzojnë kompani të caktuara. Edhe këto do t’i zgjidhim, ata që nuk veprojnë duhet të japin dorëheqje ose do të shkarkohen.

comments powered by Disqus

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...