Vetëvendosje: Kuvendi do që të heshtet vdekja e Astrit Deharit

17 Nëntor 2016 - 13:52      

Pasi që ishin bërë dhjetë ditë nga vdekja e aktivistit Astrit Dehari në Qendrën e Paraburgimit në Prizren, dhe institucionet e rendit dhe drejtësisë nuk dhanë kurrfarë sqarime për vdekjen përveçse deklarata kontradiktore e të pamatura, Vetëvendosje mblodhi 40 nënshkrime për thirrjen e një seance të jashtëzakonshme parlamentare, njofton kumtesa nga kjo parti, transmeton Koha.net.

Kërkesa në emër të Vetëvendosjes dhe e mbështetur nga AAK e Nisma si dhe disa deputetë të mazhorancës, u dorëzua nga Visar Ymeri me datën 15 nëntor pranë Kryesisë së Kuvendit.

Kërkesa, vazhdon kumtesa, ishte për seancë të jashtëzakonshme në lidhje me zhvillimet e fundit hetimore në rastin e vdekjes së të paraburgosuri Astrit Dehari në Qendrën e Paraburgimit në Prizren, përmes të cilës synohej edhe nxjerrja e një rezolute që kërkon hetim të pavarur për rastin, marrë parasysh administrimin e keq që i është bërë rastit nga organet kompetente vendore.

Si pasojë e trysnisë nga pushteti, në mënyrë të koordinuar, me të filluar mbledhja e Kryesisë së Kuvendit që kishte në rend të ditës shqyrtimin e kësaj kërkese, shefit të Grupit Parlamentar të VETËVENDOSJE!-s, Glauk Konjufca, vjen njoftimi nga administrata për tërheqje të nënshkrimit nga deputeti i PDK-së, Bislim Zogaj.

Më pas, thotë më tutje kumtesa, kur u zëvendësua nënshkrimi i deputetit Zogaj, Kryesia e Kuvendit neglizhoi mbajtjen e mbledhjes së radhës së Kryesisë së Kuvendit të kërkuar nga ne, duke mundësuar që të ushtrohet trysni edhe ndaj deputetëve të tjerë për tërheqje nënshkrimi. Si pasojë e kësaj, deputeti Danush Ademi nga Grupi 6+ dhe deputeti Veton Berisha nga LDK tërhoqën po ashtu nënshkrimet e tyre.

Arsyetimet në të tri rastet ishin përafërsisht të ngjashme, duke thënë që e shohin të udhës të pritet raport nga organet e hetuesisë dhe të merret vesh me shumë për rastin. Por, ky ishte vetëm arsyetimi formal e publik, pasi që në bisedat private me deputetët e opozitës, ata kanë pranuar trysninë që është ushtruar ndaj tyre nga partitë e koalicionit qeverisës – PDK e LDK.

Gjatë ditës së sotme, u mbajt mbledhja tjetër e Kryesisë së Kuvendit, duke e pasur parasysh tërheqjen e dy nënshkrimeve, ku ne bojkutuam mbledhjen, kurse AAK e lëshoi mbledhjen.

Kumtesa shton se pas kësaj, filloi edhe seanca e rregullt e Kuvendit, ku fillimisht mori fjalën Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri, i cili deklaroi edhe një herë se vdekja e Astrit Deharit është përgjegjësi e institucioneve të Qeverisë së Kosovës, duke shtuar se qytetarët e Kosovës sot e kanë humbur besimin e drejtësisë nga këto institucione. Gjatë kësaj kohe, deputetët e Vetëvendosjes shpalosën një pano me mbishkrimin “DREJTËSI!” para foltores së Kuvendit.

Më pas, Shefi i Grupit Parlamentar, Glauk Konjufca, propozoi në përputhje me Nenin 49 të Rregullores së Kuvendit, që kërkesa për seancë të jashtëzakonshme të shqyrtohet si çështje urgjente, për çfarë pati mbështetje nga dy partitë opozitare, AAK e NISMA, por jo edhe nga LDK e PDK. E në votimin që u mbajt në mungesë kuorumi, votuan 45 deputetë, prej të cilëve 25 votuan për, 16 ishin kundër dhe 4 nga ta abstenuan.Pas gjitha këtyre, përcjellë edhe me shkelje të shumta procedurale, Vetëvendosje lëshoi seancën e rregullt.

Më fund t kumtesës thuhet se Vetëvendosje konsideron se Kuvendi nuk po tregon gatishmëri për të diskutuar për vdekjen e aktivistit Astrit Dehari, e rrjedhimisht po kërkon që të heshtet vdekja e tij, për të cilën është përgjegjës shteti i Kosovës. Ne do të vazhdojmë përpjekjen tonë që kjo çështje të diskutohet, dhe në vazhdimësi do të angazhohemi që ky rast të zbardhet dhe drejtësia të vendoset.

comments powered by Disqus

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...