Foto: Koha

Mediet serbe: Me marrëveshjen për telefoni, shteti i Serbisë e ka njohur Republikën e Kosovës

15 Nëntor 2016 - 15:57      

Marrëveshja për telekomunikacionin ka shkaktuar konfuzion të ri në publik dhe pretendime kontradiktore nga Prishtina dhe Beogradi rreth asaj se çfarë në të vërtetë është arritur në Bruksel.

Kështu shkruan mediumi serb, “Insajder”, shkrim të cilin e transmeton Koha.net, ndërsa thotë se përderisa Beogradi pohon se Serbia është pronar i kodit telefonik për Kosovën, Prishtina pohon se Kosova e ka fituar kodin e saj ndërkombëtar.

Të dyja palët, sipas “Insajder”, njoftojnë se Telekomi do të jetë i regjistruar për punë në territorin e Kosovës, ndërsa në të njëjtën kohë injorojnë faktin se kjo është bërë qysh vitin e kaluar, përkatësisht se kompania shtetërore serbe veçse është regjistruar në regjistrin zyrtar, i cili, gjithnjë sipas mediumit serb, është “regjistër i Republikës së Kosovës”.

“MTS doo, firma e cila është regjistruar në regjistrin e Kosovës më 12 tetor të vitit të kaluar, është në pronësi të Telekom Serbisë. Si aktivitete të kësaj firme deklarohen shërbimet e telekomunikacionit dhe të internetit. Derisa Beogradi dhe Prishtina shpallin fitore në rundin e fundit të bisedimeve, ka mbetur krejtësisht pa u vënë re se Telekomi shtetëror serb veçse e ka pranuar regjistrin e firmave të Kosovës. Ky është vetëm një prej shumë shembujve të asaj se çfarë ndodhë në të vërtetë prapa politikës zyrtare, “Kosova është Serbi””, shkruan “Insajder”, transmeton Koha.net.

Mediumi serb vazhdon më tej duke thënë se deklaratat e Gjuriqit dhe Tahirit janë thjeshtë manipulim i fakteve me qëllim të përfitimit të poenëve politikë dhe se po konfirmohet se kompania, MTS d.o.o. veçse është regjistruar në regjistrin e Kosovës.

“Telekomi shtetëror serb qysh tetorin e kaluar e ka pranuar këtë institucion të Kosovës, ndërsa shumë kompani tjera private e kanë bërë këtë shumë më herët, e në mesin e të parëve kanë qenë ata që deklaroheshin më së zëshmi në mbrojtje të serbizimit në Kosovë”, shkruan më tej “Insajder”.

Mediumi “Insajder”, qysh më 2012 kishte realizuar një seri dokumentarësh të quajtur “Plaçkitja patriotike”, ku përmendeshin pikërisht ata më të zëshmit në luftën kundër pavarësisë së Kosovës e që në të njëjtën kohë, në emrin e tyre apo përmes anëtarëve të familjes, regjistronin firma në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve të Kosovës, përmes së cilave veprime, praktikisht njihnin Republikën e Kosovës.

Sipas “Insajder”, regjistrimi i një firme në ARBK nënkupton plotësimin e një formulari zyrtar ku shkruan “Republika e Kosovës”.

Siç kishte raportuar ky medium katër vjet më parë, në regjistrin kosovar ka qenë e regjistruar firma e Zoran Jakshiqit, vëllait të Marko Jakshiqit, të parit të partisë DSS të Kosovës.

“Firma në regjistrin e Kosovës kishin edhe Bojan Jakovljeviq, i pari i SNS-së për qarkun e Mitrovicës, sikurse edhe Sllavisha Milentijeviq, anëtar i SRS-it dhe anëtar i Kuvendit Komunal të Leposaviqit”, shkruan “Insajder”, transmeton Koha.net.

Në mesin e serbëve që kishin pranuar Republikën e Kosovës qysh më 2012, e që kishin firma në regjistrin e Kosovës, ka qenë edhe Zvonko Veselinoviq. Ai dyshohet të ketë qenë një prej organizatorëve të trazirave në barrikada në veri të Mitrovicës më 2011.

Përveç biznesmenëve serbë nga veriu i Kosovës që kanë firma qysh nga administrata e UNMIK-ut, sipas hetimeve të “Insajderit”, ka edhe të tillë që firmat e tyre i kanë hapur pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

“Hetimi i Insajderit ka zbuluar edhe se politika “Kosova është Serbi”, derisa në të njëjtën kohë shteti i Serbisë nuk ka kurrfarë kontrolli ndaj atij territori, hap derën për abuzime të shumta në dëm të buxhetit të Serbisë. Derisa numërohen fitoret dhe humbjet në dialogun në Bruksel, është e vërtetë se institucionet shtetërore nuk kanë vërtetuar se kush janë përgjegjësit për keqpërdorimet e shumta të parasë së buxhetit të Serbisë të menduara për serbët e rrezikuar në Kosovë. Këto keqpërdorime janë mundësuar pikërisht për shkak se shteti nuk ka kurrfarë kontrolli nëse ajo para ka shkuar tek ata që është menduar”, përfundon “Insajderi”.  

comments powered by Disqus

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...