Sondazh i RIDEA: Kosovarët në BE shohin zgjidhjen e problemeve ekonomike dhe pajtimin me serbët

15 Nëntor 2016 - 11:19      

Instituti RIDEA - Research Institute of Development and European Affairs, ka bërë publike gjetjet e një sondazhi mbi perceptimet e shtetasve të Kosovës rreth integrimit në Bashkimin Europian, Marrëveshjes së Tablizim-Asociimit dhe procesit të liberalizimit të vizave.

Në komunikatën për medie rreth këtyre gjetjeve, theksohet se sondazhi është kryer gjatë muajit shtator 2016, në 7 rajonet kryesore të Kosovës, me gjithsej 1000 të anketuar. 53% e të anketuarve ishin meshkuj, kurse 47% ishin femra, transmeton Koha.net.

Ky sondazh ka gjetur se koncepti i integrimit europian është i njohur për shumicën e të anketuarve, përkatësisht për 84.6% prej tyre. Sondazhi ka gjetur se ka një dallim në të kuptuarit e konceptit të integrimit europian. 33.5% e të anketuarve e kuptojnë integrimin europian si: një bashkim, organizatë që përfaqëson demokracitë më të zhvilluara perëndimore; 29.6% e tyre e kuptojnë si një proces ekonomik që shmang konfliktet midis vendeve që janë anëtare të Unionit dhe promovon paqe si dhe marrëdhënie të mira mes vendeve fqinje; dhe 25.9% e tyre integrimin europian e kuptojnë si një integrim të shoqërisë kosovare në një bashkim, që përbëhet nga vlera krejtësisht të ndryshme nga vlerat tona tradicionale.
Për më tepër, ky sondazh gjen se shumica e të anketuarve perceptojnë se Kosova do të përfitojë nga procesi i integrimit europian. Ata shprehin përfitimet e mëposhtme: zhvillim ekonomik; lëvizje të lirë; tregti më të lehtë; punësim në BE; shkëmbim në arsim, zhvillim të të rinjve dhe zhvillim kulturor. Më pak se gjysma e mostrës, përkatësisht, 47.1% e të gjithë të anketuarve, perceptojnë se Kosova mund të normalizojë marrëdhëniet me Serbinë përmes procesit të integrimit europian. 27% e të anketuarve kanë deklaruar se Kosova nuk mund të normalizojë marrëdhëniet me Serbinë përmes procesit të integrimit europian, dhe 20.1% e të anketuarve nuk e dinë nëse Kosova mund të normalizojë marrëdhëniet me Serbinë përmes procesit të integrimit europian. Nëse i zbërthejmë mbi baza gjinore të dhënat paraprake, mund të thuhet se ky studim identifikon se rreth 45% e të anketuarve meshkuj dhe rreth 35% e të anketuarve femra perceptojnë se Kosova mund të normalizojë marrëdhëniet me Serbinë përmes procesit të integrimit europian. Përveç kësaj, numri i moderuar i të anketuarve nga 6 rajonet e Kosovës janë shprehur që integrimi europian mund të shihet si një metodë për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe vendit fqinj, Serbisë. Në të kundërtën, në rajonin e Mitrovicës, numri i madh i shqiptarëve të anketuarve percepton se procesi i integrimit europian nuk do të çojë në zhvillimin ekonomik të Kosovës. Në të gjitha rajonet e Kosovës, të anketuarit janë shprehur se procesi i integrimit europian është duke u zhvilluar me një ritëm të ngadaltë. Gjithashtu, anëtarësimi i Kosovës në BE është perceptuar si një mjet për të zgjidhur çështjet ekonomike të Kosovës (67.5%), dhe më pak për sfidat e saj politike (45.6%).

Një numër mesatar i të anketuarve janë të vetëdijshëm që Kosova ka nënshkruar Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit (MSA). Megjithatë, vetëm rreth 30% e të anketuarve, të cilët janë të vetëdijshëm për nënshkrimin e MSA-së, kanë shprehur që Kosova mund të këtë përfitime nga MSA.

Gjithashtu, më shumë se 60% e të anketuarve perceptojnë saktë procesin e liberalizimit të vizave; dhe 78.9% e perceptojnë të saktë kohëzgjatjen e qëndrimit në vendet e zonës Schengen nëpërmjet procesit të liberalizimit të vizave.
Rekomandimet

* Qeveria e Kosovës duhet të informojë qytetarët në lidhje me integrimin europian, nëpërmjet komunikimeve tjera aktive që do të thotë: konferenca, debate aktive, fushata të vetëdijësimit, dhe nuk duhet të lejojë që lajmet, si një mjet pasiv i komunikimit, të jetë mjeti i vetëm i informacionit;

*Qeveria e Kosovës duhet të marrë në konsideratë perceptimin e qytetarëve etnik shqiptar të Mitrovicës, perceptimet e të cilëve ndryshojnë nga perceptimet e qytetarëve të rajoneve të tjera. Ky studim ka reflektuar perceptimet, dyshimet dhe pasiguritë që komuniteti shqiptar në rajonin e Mitrovicës i përjeton. Për këtë arsye, institucionet e Kosovës duhet të kenë një komunikim më të drejtpërdrejtë dhe të hapur me qytetarët përkatës, për të kapërcyer gjendjen e tanishme të tyre;

*Qeveria e Kosovës duhet të hartojë një plan veprimi me kombinim të masave afatshkurta dhe afatgjata. Masa afatshkurta janë: informimi publik dhe fushatat ndërgjegjësuese; dhe masat afat-gjata mund të jenë: përmirësimi i kushteve të jetesës tek grupet e cenueshme të popullsisë dhe të njerëzve të papunë në mënyrë që ata plotësisht të kuptojnë procesin e liberalizimit të vizave;

*Qeveria e Kosovës që nga fillimi i fushatës informuese të synuar (në veçanti në lidhje me përfitimet e MSA-së dhe çështjen e liberalizimit të vizave), duhet të përfshijë organizatat rinore dhe OJQ, si dhe partitë e pakicave dhe udhëheqësit e tyre; dhe

*Në mënyrë të ngjashme, Qeveria e Kosovës duhet të bëjë përpjekje shtesë për të punuar më ngushtë me të dy etnitë në rajonin e Mitrovicës, që t'i bindin ata se integrimi europian është një mjet që do të stimulojë integrimin e qytetit të tyre.

Përfundime

Në përgjithësi, ky sondazh ka gjetur se opinioni publik në Kosovë është i vetëdijshëm për konceptin e integrimit europian. Megjithatë, ka dallime në të kuptuarit dhe interpretimin e këtij koncepti. Gjithashtu, sondazhi ka gjetur se të anketuarit perceptojnë se procesi i integrimit europian i Kosovës është i lidhur pozitivisht me zhvillimin ekonomik. Po ashtu, anëtarësimi i Kosovës në BE është perceptuar të jetë më i lidhur me zhvillimin ekonomik sesa me tejkalimin e sfidave aktuale politike të Kosovës. Së fundmi, për qytetarët e Kosovës duhet të bëhet më shumë punë dhe është i nevojshëm sqarimi i mëtutjeshëm i konceptit të procesit të integrimit europian në përgjithësi, si dhe idesë të Bashkimit Evropian, në veçanti. 

comments powered by Disqus

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...