14 Nëntor 2016 - 17:28
Kështu ka thënë Marko Gjuriq, shef i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, duke theksuar se Telekomi serb do të veprojë si kompani e cila është e njohur ligjërisht nga bashkësia ndërkombëtare dhe institucionet e Prishtinës, ndërsa prefiksi +383 është në pronësi të Serbisë që ia ka dhënë Kosovës si zonë gjeografike, e jo zonë ndërkombëtare.
“Kompania jonë shtetërore më në fund edhe ligjërisht do të punojë në territorin e krahinës sonë jugore. Është njohur ligjërisht dhe zyrtarisht edhe nga bashkësia ndërkombëtare dhe nga institucionet e Prishtinës”, ka thënë Gjuriq në konferencën për media, e cila, siç tha ai, është thirrur për t’i informuar saktësisht qytetarët e Serbisë me marrëveshjen e nënshkruar dje.
“Qeveria e Republikës së Serbisë është e kënaqur me faktin se prona e saj në territorin e krahinës jugore do të jetë krejtësisht e mbrojtur dhe e ruajtur, jo vetëm në sistemin tonë, por do të jetë e mbrojtur dhe e ruajtur me këtë marrëveshje e cila garanton transferimin e saj në kompaninë Telekom Serbia, rrjedhimisht do të jetë 100 për qind në pronësi të Telekom Serbisë dhe e cila do të vendoset në territorin e krahinës sonë jugore”, ka sqaruar Gjuriq, transmeton Koha.net.
Sipas tij, Kosova do të merr kodin e saj telefonik +383, por si numër për zonë gjeografike pronar i së cilit është Republika e Serbisë “siç ka Kina prefikse të ndryshme, përveç njërit amtar, një për Hong Kongun, një për Makaon dhe një për Tajvanin, apo siç e ka Britania e Madhe një prefiks amtar, ndërsa tjetrin për Ishullin Falkland”.
“Telekom Serbia dhe Republika e Serbisë mbesin të anëtari i vetëm i Unionit Ndërkombëtar të Telekomunikacionit, ndërsa atë kod telefonik e ka Serbia”, ka shtuar Gjuriq.
Ai ka theksuar se qytetarët e Serbisë nuk duhet brengosur sepse nuk do të ketë tarifa shtesë e as “që do të ketë nevojë të zgjedhin kode telefonike për thirrje mes Serbisë qendrore dhe krahinës jugore, por do të paguhet vetëm trafiku i zakonshëm ndërkombëtar telefonik”.
Me këtë marrëveshje, Gjuriq tha se prona e Telekom Serbisë do t’i transferohet kompanisë së saj simotër në Kosovë, “MTS Kosovska Mitrovica d.o.o.”, e cila do të vendoset në Kosovë, duke shtuar se do të rritet numri i stacioneve bazë dhe do të rivendosen ato që u shkatërruan më 2010 dhe 2011.
“Kemi të bëjmë me sistem të unifikuar të telekomunikacionit i cili ruhet në territorin e Serbisë. Janë mbrojtur interesat tona, pavarësisht asaj se si e interpreton Prishtina këtë marrëveshje në mënyrë të rrejshme, të fshehtë dhe ndryshe nga ne”, ka thënë Gjuriq.
Shefi i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë theksoi se punëtorët e Telekomit nuk duhet të brengosen, të vazhdojnë të punojnë siç kanë punuar deri më tani.
Drejtori i Telekom Serbisë, Predrag Çulibrk, ka thënë se marrëveshja e nënshkruar garanton vazhdimin e punës së asaj firme, garanton përmirësim të shërbimit të përdoruesve në Kosovë me kushtet e njëjta komerciale “sikurse në pjesën tjetër të Serbisë” dhe se nuk do të ketë rritje të çmimeve.
“Do ta thërrasin Serbinë në të njëjtën mënyrë siç e kanë bërë deri më tani. Dokumenti siguron pavarësi dhe kontroll të plotë ndaj pronës që është e jona”, ka thënë Çulibrk, transmeton Koha.net.
Ai ka shtuar se ajo firmë, firma simotër e Telekom Serbisë në Kosovë, e ka fituar licencën e përkohshme e cila garanton legjitimitet të plotë që në vitet e ardhshme të ofrojë shërbimin më të lartë të cilësisë në territorin e Kosovës.
Ndërkaq, Drejtori i Zyrës për koordinim të punëve në procesin e bisedimeve me Kosovën, Dragan Vladisavljeviq, i ka paraqitur para gazetarëve aspektet teknike, rrjedhimisht numrin e qendrave telefonuese, lokacionin e tyre, etj..
“Parashihet që Unioni Evropian për telekomunikacion të ndajë numrin +383, para të cilit numër dhe emërtimit Kosovë do të vendoset fusnota që thotë se ky numër nuk paragjykon statusin, dhe është në pajtim me rezolutën 1244”, ka thënë Vladisavljeviq.
Ai ka shtuar se në veri të Kosovës do të ketë 17 lokacione për stacione bazike, ndërsa pesë të tjera në jug të Ibrit.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
17 Shkurt 2017 - 00:15
16 Shkurt 2017 - 23:49
16 Shkurt 2017 - 23:41
16 Shkurt 2017 - 23:18
16 Shkurt 2017 - 23:17
Ec me kohën...