Murati: Me projekte konkrete të shfrytëzohen anët pozitive të migrimit

14 Nëntor 2016 - 14:19      

Gjatë vizitës në Kroaci, ministri i Diasporës, ValonMurati, në kuadër të aktiviteteve të organizuara nën patronazhin e presidentes së Kroacisë, Kolinda Grabar Kitaroviq, mori pjesë edhe në konferencën shkencore të organizuar nga Shoqata Shqiptare e Mbrojtësve të Kroacisë në Luftën Atdhetare, në të cilën, nga historianë, gazetarë e politikanë kroatë, u shpërfaqën vlerat dhe roli i shqiptarëve në luftën për liri të Kroacisë.

Përme një komunikate për media bëhet e ditur se Murati e vizitoi deputeten shqiptare në Kuvendin e Kroacisë, Ermina Lekaj Përlaskaj, e cila në këtë institucion përfaqëson edhe komunitetin boshnjak, maqedonas, slloven dhe atë malazias.

“Në këtë takim u diskutuan mundësitë për fuqizimin e raporteve mes Kosovës dhe Kroacisë, si dhe puna e përbashkët që duhet të bëhet për fuqizimin e pozitës së komunitetit shqiptar në Kroaci. Murati shprehu gatishmërinë të qëndrojë afër komunitetit tonë për çdo çështje që kërkon mbështetjen e institucioneve të Republikës së Kosovës”, thuhet në komunikatë.

Për të marrë pjesë në konferencën “Shkëmbimi gjermano-kosovar nëpërmjet migrimit qarkor”,i organizuar nga shoqëria e akademikëve shqiptare “Dija”, Murati ishte për vizitë edhe në Gjermani.

Ai në këtë konferencë ka thënë se migrimin nuk duhet ta trajtojmë vetëm si mundësi punësimi të përkohshëm, por si mundësi për të angazhuar potencialet intelektuale.

“Migrimin qarkor nuk duhet ta trajtojmë vetëm si një mundësi për punë të përkohshme në vendet perëndimore, por edhe si mundësi që përmes projekteve të ndryshme t’i angazhojmë potencialet intelektuale, profesionale dhe biznesore të diasporës sonë për të ardhur dhe për t’u angazhuar në Kosovë, në baza të përkohshme në fushën akademike, në biznes, në fushën e ofrimit të këshillave profesionale”, ka thënë Murati.
Duke folur për projektet aktuale të Ministrisë së Diasporës, siç është puna praktike në institucionet shtetërore për studentët nga diaspora, pastaj projekti i përbashkët me GIZ-n për angazhimin afatshkurtër të ekspertëve nga diaspora jonë në Gjermani, Murati thotë se përqendrimi në këtë lloj të migrimit do të ndikojë në përfitime të dyanshme.

Gjatë qëndrimit në Munih ai mori pjesë edhe në takimin e Lidhjes së Krijuesve Shqiptarë në Mërgatë “Nëntori poetik”, si dhe në takimin përgatitor të mësuesve dhe të prindërve nga Bavaria për themelimin e këshillit të prindërve dhe arsimtarëve, në mënyrë që të fillojë puna për riorganizimin e mësimit shqip në këtë republikë.

Murati ka njoftuar ata për përmbajtjen e marrëveshjes së përbashkët midis Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë për mësimin shqip në diasporë, përgjegjësitë dhe shërbimet që i ofron Ministria e Diasporës në këtë drejtim.

Ai i inkurajoi për nismën, duke i siguruar që do ta kenë përkrahjen e vazhdueshme nga institucionet shtetërore.

comments powered by Disqus

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...