12 Nëntor 2016 - 16:25
Mes qindra aktivistëve e qytetarëve që janë mbledhur, janë shkruar parulla në muret e burgut dhe është vizatuar portreti i të ndjerit Astrit Dehari, transmeton Koha.net.
Aty sot, sipas njoftimit të Vetëvendosjes, janë mbledhur për të kërkuar përgjegjësi, ngaqë askush nuk ka marrë përgjegjësinë për këtë një jave nga vdekja e Astrit Deharit.
Në mesin e atyre që janë mbledhur ndodhet ish-lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti dhe Sekretari Organizativ i këtij subjekti politik, Dardan Molliqaj.
Përmes një komunikate për media, Lëvizja Vetëvendosje ka thënë se ende askush nuk ka dhënë përgjegjësi për këtë vdekje brenda institucionit të shtetit.
Para ndërtesës së Burgut të Prizrenit, aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje dhe qytetarë të shumtë kanë kërkuar drejtësi për Astrit Deharin. Rreth orës 15:00 kur edhe kishte vdekur aktivisti Astrit Dehari, aktivistët e vizatuan fytyrën e tij në muret e kësaj ndërtese, siç e quan VV, “famëkeqe” ku vdiq “një i pafajshëm që po mbahej në paraburgim”.
Deputeti dhe aktivisti Albin Kurti para protestuesve foli për punën dhe përkushtimin e Astritit.
“Mbi Astrit Deharin është kryer krimi prej ditës që është arrestuar dhe deri atëherë kur e humbi jetën. Në kohën kur po dështonte përfundimisht procesi i montuar politik, kundër tij, në kohën kur u pa që është e pamundur të ngrihej aktakuza, përkundër shpifjeve e fabrikimeve, ndodhi kjo tragjedi, jo vetëm për familjen Dehari e Lëvizjen Vetëvendosje, por për mbarë Kosovën”, tha Kurti.
Ai tha se Astriti nuk ishte thjesht në burg, por ai ishte i paraburgosur, “pra nuk kishte as dënim, e as aktakuzë”.
“Është situatë tjetër atëherë kur vdes një person në vuajtje të dënimit, por është diçka krejtësisht ndryshe kur dikush vdes në paraburgim, sepse Astriti, jo vetëm moralisht e politikisht, por edhe ligjërisht e nominalisht ishte i pafajshëm”, shtoi Kurti.
Tutje, deputeti Kurti tha se Dehari “nuk kishte vdekur nga medikamente të tepruara siç tha komandanti i policisë për rajonin e Prizrenit Nexhmi Krasniqi”.
“Ne sot nuk duhet të mërzitemi për Astritin. Ne sot duhet të mërzitemi për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës se në çfarë vendi të pa sigurt e kaq shumë të rrezikuar individualisht dhe kolektivisht jetojmë ne për shkak të kësaj qeverie e të këtyre institucioneve të kapura”, tha më tej Kurti.
“Astriti tërë kohën, kudo, është angazhuar për drejtësi për popullin e tash jemi ne, janë qytetarët, është populli ai që duhet të angazhohet për drejtësi për Astritin”, tha më tej ish-lideri i VV-së, Albin Kurti.
Në fund të fjalës së tij, Kurti tha: “Lavdi Astrit Deharit dhe të gjithë dëshmorëve, martirëve e veprimtarëve të çështjeve shoqërore e kombëtare”.
Më poshtë mund t’i shihni disa fotografi nga aktiviteti në Prizren.





© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
17 Shkurt 2017 - 00:15
16 Shkurt 2017 - 23:49
16 Shkurt 2017 - 23:41
16 Shkurt 2017 - 23:18
16 Shkurt 2017 - 23:17
Ec me kohën...