Thaçi krijon dy nëngrupe për reformën zgjedhore

11 Nëntor 2016 - 14:34      

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, sot ka mbajtur takimin e dytë me përfaqësuesit e subjekteve politike, me të cilët ka diskutuar sërish për reformën në sistemin zgjedhor dhe reformën e nevojshme ligjore.

Ai ka njoftuar se do t’i themelojë dy nëngrupe punuese, një për amandamentime kushtetuese dhe një tjetër për reformën ligjore për zgjedhjet e përgjithshme dhe ato lokale, të cilat deri në fillim të dhjetorit do t’i sjellin propozimet konkrete.

Thaçi ka treguar se subjekteve politike do t’ua propozojë edhe një kod, me të cilin nuk do t’i lejohet asnjë kandidati, as për kryetar, as për deputet dhe as për asamblist, që të përfshihet në lista zgjedhore nëse ka aktakuzë apo nëse është nën hetime.

“Duke marrë parasysh propozimet paraprake, shumica e çështjeve që reflektojnë në reformën e sistemit zgjedhor prekin ndryshim-plotësimin edhe të Kushtetutës”, ka thënë ai.
Nëse vendoset të bëhet ndryshimi i numrit të deputetëve, atëherë ai ka thënë se kjo reflekton edhe në nenin 64 të Kushtetutës, e cila përfshin strukturën e Kuvendit.

Ndërsa, nëse reforma zgjedhore zgjerohet edhe në menaxhimin e zgjedhjeve, presidenti Thaçi ka thënë se duhet të ndryshohet edhe neni 139 i Kushtetutës dhe të përcaktohet se si do të bëhet mënyra e zgjedhjes së kryetarit dhe anëtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
Kurse çështja e vendimit për një apo më shumë zona zgjedhore nuk e prek Kushtetutën, sepse vetë neni 66 (5) përcakton që kushtet, zonat dhe proceduratzgjedhore, rregullohen me ligj.
Për thjeshtimin e procesit zgjedhor, Thaçi ka thënë se si zgjidhje mund të jetë edhe hartimi i një ligji të ri për zgjedhjet.

Të pranishëm në takimin e sotëm ishin përfaqësuesit e 17 subjekteve politike, ata të OSBE-së dhe Zyrës së BE-së në Kosovë, si dhe përfaqësuesit e disa organizatave të shoqërisë civile.

comments powered by Disqus

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...