Thaçi thotë se të drejtat dhe liritë e njeriut janë të pandashme

11 Nëntor 2016 - 11:16      

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka marrë pjesë në konferencën e organizuar nga misioni i OSBE-së për fushatën informuese të pakos së ligjeve për të drejtat e njeriut, njofton kumtesa presidenciale, transmeton Koha.net.

Thaçi ka thënë se të drejtat dhe liritë themelore të njeriut janë të pandashme, të patjetërsueshme e të pacenueshme dhe janë bazë e rendit juridik të garantuara me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

“Kosova po angazhohet të respektojë dhe promovojë të drejtat dhe instrumentet ndërkombëtare që ndërlidhen me mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe të drejtave themelore. Vëmendje të veçantë po i kushtohet mbrojtjes së personave që u përkasin grupeve të ndjeshme dhe minoriteteve, që të mos diskriminohen”, ka thënë Thaçi.

Sipas Thaçit, korniza ligjore që rregullon fushën e të drejtave të njeriut është avancuar dukshëm me miratimin e pakos së ligjeve për të drejtat e njeriut, që përfshijnë Ligjin për Mbrojtjen nga Diskriminimi, Ligjin për Barazi Gjinore dhe Ligjin për Avokatin e Popullit.

“Rëndësia e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut është vendimtare për të siguruar demokracinë dhe sundimin e ligjit në Kosovë. Nuk do të ketë demokraci të mirëfilltë dhe sundim të ligjit, nëse qytetarëve nuk u sigurohet respektimi, mbrojtja dhe zbatimi i të drejtave të njeriut”, ka thënë ai.

Për të pasur sukses në mbrojtjen dhe avancimin e të drejtave të njeriut, presidenti Thaçi ka thënë se medoemos duhet një bashkëpunim i të gjithë mekanizmave dhe autoriteteve në nivel shtetëror, qofshin ata institucional apo nga shoqëria civile dhe një bashkëpunim me mekanizmat dhe autoritetet ndërkombëtare.

“Institucionet dhe qytetarët tanë nuk mund dhe nuk duhet të qëndrojnë të heshtur në mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Është përgjegjësi e çdo institucioni dhe e çdo qytetari, që të angazhohet për mbrojtjen dhe avancimin e të drejtave të njeriut, të garantuara me Kushtetutë dhe legjislacionin përkatës në fuqi”, ka thënë presidenti Thaçi.

“Si shoqëri nuk duhet të jemi të kënaqur të reagojmë vetëm në situatat kur viktimat të cilat përjetojnë diskriminim ankohen dhe u ofrojmë ndihmë dhe mbrojtje ligjore. Duhet një luftë pa asnjë kompromis ndaj çdo akti të diskriminimit”, ka thënë Thaçi.

comments powered by Disqus

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...