“Shqiptarët kanë dhënë kontribut të jashtëzakonshëm në luftën atdhetare kroate”

10 Nëntor 2016 - 22:16      

Shqiptarët kanë dhënë kontribut të jashtëzakonshëm në luftën atdhetare kroate dhe në krijimin e shtetit kroat.

Kështu ka thënë ministri i Diasporës, Valon Murati, teksa ka shtuar se këtë e dëshmojnë jo vetëm 86 të vrarët shqiptarë të kësaj lufte, jo vetëm pjesëmarrja e shqiptarëve në këtë luftë, por edhe shteti kroat, që çdo herë e më shumë po e njeh dhe po e çmon këtë kontribut.

“Sot në 25 vjetorin e mbrojtësve shqiptarë të Kroacisë dhe në 25 vjetorin e rënies së Bogdanovcit (fshat pararojë në mbrojtjen e Vukovarit) nën organizimin e Shoqatës Shqiptare të Mbrojtësve të Kroacisë në Luftën Atdhetare në bashkëpunim me komunën e Bogdanovcit dhe nën patronatin e presidentes Kolinda Grabar Kitaroviç u përkujtuan civilët dhe mbrojtësit e vrarë e të zhdukur kroat e shqiptarë”, ka treguar Murati përmes profilit të tij në Facebook.

Murati ka thënë se në emër të Republikës së Kosovës të rënët i nderuan ai bashkë me zv.ministrin e FSK-së, Muhamet Latifin, ambasadoren Shkëndije Geci Sherifi, ish-komandantin e FSK-së, Kadri Kastratin, Gjeneral Enver Cikaqi, Kolonel Fadil Hadërgjonaj, e të tjerë. Ndërsa në delegacioni i Republikës së Shqipërisë u udhëhoq nga ambasadori Ilir Melo dhe gjenerali 98 vjeçar Rrahman Parllaku (Hero i Popullit dhe Nderi i Kombit).

“Në Bogdanovci u hap edhe Dhoma Përkujtimore në të cilën dëshmohet për luftën dhe vuajtjet e Bogdanovcit. Pata rastin dhe nderin që të takoj edhe familjarët e nëntë shqiptarëve të vrarë në këtë betejë të familjeve Bardheci, Lleshi dhe Krasniqi. Gjithashtu gjatë ditës vizituam edhe varrezat qendrore të dëshmorëve dhe civilëve të vrarë të Vukovarit, varrezën masive Ovqara, si dhe u pritëm nga kryebashkiaku i Vukovarit, Ivan Penava me të cilin folëm për fuqizimin e raporteve në mes të shqiptarëve dhe kroatëve, përkatësisht në mes të Republikës së Kosovë dhe asaj të Shqipërisë me atë të Kroacisë”, ka thënë Murati. “Gjithsesi një kontribut të jashtëzakonshëm në ngritjen lartë të vlerave të kontributit të shqiptarëve në luftën për liri të kroatëve dhe në organizimin e këtij manifestimi e kanë Esad Çollaku kryetari i Shoqatës Shqiptare të Mbrojtësve të Kroacisë dhe Tom Kaqinari kryetari i Vullnetarëve dhe Veteranëve të Kroacisë”, ka shtuar ai.

comments powered by Disqus

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...