Llapi bëhet me Spital të Përgjithshëm

2 Nëntor 2016 - 15:06      

Kryetari i Komunës së Podujevës, Agim Veliu, ka pritur në një takim ministrin e Shëndetësisë, Imet Rrahmani, i cili i dorëzoi kryetarit Veliu vendimin për themelimin e Spitalit të Përgjithshëm në Podujevë.

Në takimin e sotëm mes zyrtarëve komunalë e ministrorë, është biseduar për hapat që do të ndërmerren për funksionalizimin e Spitalit të Përgjithshëm në Podujevë, pas vendimit për themelimin e tij.

Me këtë rast, ministri Rrahmani në mënyrë simbolike i ka dorëzuar vendimin për themelimin e Spitalit të Përgjithshëm në Podujevë.

Veliu tha se në bazë të vendimit të Kuvendit Komunal të Podujevës, ministri i Shëndetësisë, duke përfillur edhe procedurat ligjore, javën që shkoi ka marrë vendim për themelimin e Spitalit të Përgjithshëm në Podujevë.

“Pa dyshim se Themelimi i Spitalit të Përgjithshëm në Podujevë do të krijojë lehtësira për qytetarët tanë, të cilët për t’i marrë shërbimet e ndryshme mjekësore, deri më tani i janë drejtuar Qendrës Klinike Universitare të Kosovës”, tha Veliu.

Kryetari i Komunës tha se bashkë me ministrin e Shëndetësisë diskutuan për modelitetet dhe hapat që do të ndërmerren në funksionalizimin e Spitalit të Qytetit në Podujevë.

Ministri i Shëndetësisë, Imet Rrahmani, tha se vendimi për themelimin e Spitalit të Përgjithshëm në Podujevë është marrë duke iu përgjigjur vendimit të Kuvendit Komunal të Podujevës për themelimin e këtij institucioni, që do të ofrojë shërbime sekondare shëndetësore.

“Themelimi i këtij spitali do të thotë shumë për ngritjen e kapaciteteve shëndetësore dhe që ato të jenë sa më afër qytetarëve të Rajonit të Llapit”, tha Rrahmani.

Lidhur me funksionalizimin e Spitalit të Përgjithshëm në Podujevë do të krijohet një grup punues i përbashkët i Komunës dhe Ministrisë, i cili do të përcaktojë dinamikat dhe objektivat e shërbimeve që do të ofrojë ky institucion shëndetësor.

Ministri tha se në këtë spital qytetarët do të mund të marrin shërbime pediatrike, internistike, gjinekologjike, kirurgjike dhe emergjenca.

Veliu dhe Rrahmani thanë se shërbimet e para në Spitalin e Përgjithshëm në Podujevë, qytetarët do të mund t’i marrin gjatë vitit 2017. 

comments powered by Disqus

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...