Synohet ndërlidhja e shkollimit me treg të punës

2 Nëntor 2016 - 12:04      

Ministria e Arsimit, në bashkëpunim me zyrën e BE-së në Kosovë si dhe me disa institucione tjera, kanë organizuar konferencën e parë “Arsim për punësim”, e cila ka për qëllim ndërlidhjen e shkollimit me treg të punës.

Për këtë qëllim, u tha se është shumë e rëndësishme që shkollat të jenë të lidhura me tregun e punës në mënyrë që të ofrojnë njerëz të kualifikuar dhe diploma në bazë të kërkesave të tregut të punës.

Zëvendëskryeministri i sapo zgjedhur i Kosovës, Ramiz Kelmendi, tha se Qeveria e mbështet këtë harmonizim të shkollave profesionale me treg të punës dhe premtoi se do të ndihmojë në këtë drejtim.

“Konsideroj që sa më shumë që na shkon për dore që si Qeveri ta harmanizojmë sistemin e arsimit sidomos të të rinjve me nevoja të tregut të punës, aq më shumë do të jemi të suksesshëm në zvogëlimin e papunësisë por edhe në rritjen e kualitetit të punës e të punësuarve. Me këtë harmonizim do të kemi edhe benifite tjera sidomos në fushën e ekonomisë me ç’rast do të rritet prodhimi, kualiteti i prodhimit dhe përgjithësisht do të shtohet efiçienca në ekonomi. Si Qeveri tashmë jemi në rrugën e drejtë për t’i harmonizuar gjithnjë e më shumë këto procese dhe në këtë aspekt arsimimi dhe ngritja profesionale po i përgjigjet kërkesave dhe nevojave të punës”, tha Kelmendi, raporton KP.

Për ministrin e MASHT, Arsim Bajrami, arsimi është ekonomi. Sipas tij, arsimi profesional është një resurs për industri duke shtuar se në këtë konferencë do të jepet kontributi i Qeverisë së Kosovës për të ndërtuar kapital njerëzor me kompetenca dhe shkathtësi.

“Padyshim që arsimi profesional është një resurs i pashfrytëzuar në Kosovë dhe ne jemi të vendosur si MASHT që të thyejmë edhe paragjykimet e së kaluarës që të themi se sot orientimi drejt arsimit profesional është një trend evropian, është një trend i vendeve të zhvilluara sepse mundëson një planifikim të mirë të sistemit arsimor dhe mundëson që fëmijët tanë në moshë të hershme të pajisen me kompetenca dhe shkathtësi që kërkon tregu i punës dhe ata të plasohen në tregun e punës duke u punësuar dhe duke e ndërtuar gjatë gjithë jetës karrierën e tyre”, tha ministri Bajrami.

Ndërsa, udhëheqësi i njësisë për çështje politike, ekonomike dhe integrime evropiane në zyrën e BE-së në Kosovë, Thomas Gnocchi, tha se ndërlidhja e arsimimit me tregun e punës është në hap me modernizimin dhe tregun e punës.

“Projekti në edukimin e nevojat e tregut të punës është në hap me modernizimin dhe reformat e programeve të arsimit të lartë që kanë nevojë për tregun e punës gjithashtu edhe korniza e kualifikimeve ndërkombëtare e ka validitetin gjithashtu edhe në institucionet e akredituara, qëllimi i përmirësimit të kualitetit praktik në aspektin e mësimnxënies”, tha Gnocchi.

Ndërkohë, përkrahje në këtë drejtim ofroi edhe ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi, i cili tha se çka do që vendos MASHT dhe Qeveria, është i gatshëm ta zbatojë.

Një përkrahje të tillë e dha edhe kryetari i odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu i cili u shpreh se kontribuuesit kryesor në zhvillimin e shtetit të pasluftës kanë qenë dhe janë kompanitë dhe bizneset private. 

comments powered by Disqus

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...